Ömer Tuğrul Çam
01 Shkurt 2021•Përditësim: 01 Shkurt 2021
Bashkimi Evropian (BE) dënon fuqishëm puçin ushtarak në Mianmar dhe kërkon lirimin e të arrestuarve, transmeton Anadolu Agency (AA).
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, në mesazhin e tij në rrjetet sociale dënoi fuqimisht puçin ushtarak në Mianmar dhe i bëri thirrje ushtrisë së Mianmarit që të lirojë numrin e madh të njerëzve që janë arrestuar në mënyrë të paligjshme në bastisjet në mbarë vendin.
"Duhet të respektohet rezultati i zgjedhjeve dhe duhet të rindërtohet procesi demokratik", ka theksuar Michel.
Edhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Josep Borrell, ka theksuar se dënon në mënyrë të ashpër grushtin e shtetit. Në mesazhin e tij në rrjetin social Borrell tha se, "Duhet të respektohen rezultatet e zgjedhjeve dhe kushtetuta. Populli i Mianmarit dëshiron demokraci. BE është pranë tyre".
Ushtria e Mianmarit njoftoi se ka marrë qeverisjen e vendit për një vit pas pretendimeve për mashtrime në zgjedhjet e mbajtura më 8 nëntor 2020.
Komisioni zgjedhor kishte përgënjeshtruar pretendimet e ushtrisë për mashtrime në zgjedhjet të cilat më 29 janar kanë rezultuar me fitoren e partisë në pushtet të Aung San Suu Kyi.
Ushtria në vend mbështet partinë kryesore në opozitë, Partinë e Zhvillimit dhe Solidaritetit për Unitet (USDP).