Ekip
07 Mars 2019•Përditësim: 08 Mars 2019
Pavarësisht përpjekeve të Turqisë, dy anëtarët e dyshuar të Organizatës Terroriste Fetullah (FETO) u lejuan të përhapin propagandë gjatë një diskutimi të fundit në një panel të Kombeve të Bashkuara (OKB), raporton Anadolu Agency (AA).
Paneli që shpifte dhe kërcënonte Turqinë, si dhe agjencinë e lajmeve shtetërore turke Anadolu Agency (AA), u mbajt nga grupi terrorist në zyrën e OKB-së në Gjenevë gjatë seancës së 40-të të Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së.
Në këtë ngjarje folën Abdullah Bozkurt, ish-përfaqësues në Ankara i gazetës tashmë të zhdukur “Zaman”, i cili kërkohet nën akuzat si anëtar i FETO-s, si dhe Levent Kenez, i cili poashtu dyshohet se është pjesë e krahut mediatik të FETO-s.
Paneli që u zhvillua pranë zyrave të këshillit, pavarësisht iniciativave të shkruara dhe verbale nga Misioni i Përhershëm i Turqisë në zyrën e OKB-së në Gjenevë, reflektoi solidaritetin midis organizatave terroriste të FETO-s dhe PKK-së.
Eric Sottas, i cili është një simpatizant i njohur i PKK-së, moderoi panelin që u organizua nga Aleanca Globale kundër Gjymtimit Gjenital Femëror.
Raportuesja e OKB-së nuk merr pjesë në panel
Duke folur për AA, Fionnuala D. Ni Aolain, raportuese speciale e OKB-së për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, vendosi të mos marrë pjesë në ngjarje për shkak të një “konflikti interesi”.
Organizatorët e ngjarjes i dërguan një letër Shoqatës së Korrespondentëve të Akredituar në OKB dhe ftuan gazetarët që të mbulojnë panelin, por vetëm dy prej tyre u shfaqën.
Shënjestrohet Anadolu Agency (AA)
Simpatizantët e PKK-së në Zvicër, që morën pjesë në këtë ngjarje, treguan solidaritet me grupin terrorist FETO.
Bozkurt kërcënoi korrespondentin e AA-së që mbulonte panelin para ngjarjes, duke i thënë se “tani e tutje, ju jeni në radarin tim”.
I pyetur nga gazetari “A nuk keni turp gjithmonë të shpifni Turqinë në twitter”, Bozkurt u përgjigj se, “Prisni. Kam shumë gjëra për të thënë për Turqinë në panel”.
Gjatë fjalimit të tij, ai përdorte taktikën mohuese të të punësuarve të FETO-s në lidhje me grusht shtetin e 15 qershorit të vitit 2016 në Turqi, i cili la të martirizuar 251 persona dhe rreth 2.200 të plagosur.
Të dy folësit, Bozkurt dhe Kenez, në masë të madhe kishin në shënjestër AA-në.
Qëndrimi armiqësor ndaj Turqisë
Bozkurt për tre vite jeton në Stokholm dhe thuhet se merr ndihmë nga shteti suedez si anëtar themelues i Qendrës për Liri në Stokholm.
Duke u shfaqur shpesh në mediat suedeze, ai përpiqet të justifikoj përpjekjet e FETO-s për grusht shtet dhe flet kundër organizatave joqeveritare turke në Suedi.
Duke përhapur një propagandë të zezë kundër Turqisë në mediat sociale, ai shpesh padit qytetarët turq që e kundërshtojnë atë.
Në dhjetor të vitit 2016, tre ditë para vrasjes së ambasadorit rus në Turqi, Andrei Karlov, Bozkurt shkroi një artikull ku tha se “ambasadorët në Turqi nuk janë më të sigurt”, ku pothuajse lë të kuptohet për vrasjen e mundshme të ambasadorit.
Më 19 dhjetor të vitit 2016, Karlov u vra në një hapje të galerisë së arteve në Ankara nga Mevlut Mert Altintas, një oficer i policisë jashtë detyrës i lidhur me FETO-n, i cili më pas u qëllua për vdekje nga policia turke.
Sa i përket operacionit “Dega e Ullirit”, të nisur nga Turqia në Sirinë veriore për të eliminuar grupet terroriste PYD/PKK dhe DEASH, ai në mediat sociale pretendonte se ishte kryer për të ushqyer fantazim fetar brenda vendit.
Ai po ashtu shprehu pakënaqësi në mediat sociale mbi recitimin “Allahu Akbar” gjatë një tubimi të presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan, në krahinën Bursa të Turqisë.
Në një tjetër postim në twitter, Bozkurt shënjestroi turqit që protestonin kundër vendimit të presidentit amerikan, Donald Trump, për njohjen e Kudsit si kryeqytet izraelit.