Furkan Naci Top
18 Janar 2017•Përditësim: 18 Janar 2017
LESBOS (AA) – Komisioneri Evropian për Migrim, Punë të Brendshme dhe Shtetësi, Dimitris Avramopoulos, duke folur për luftën për mbijetesë të refugjatëve në kushtet e ftohta atmosferike, ka thënë se “Refugjatët nuk mund të lihen në të ftohtë e të sfidojnë kushtet e rënda të motit pa pasur madje asnjë çati mbi kokë,”, raporton Anadolu Agency (AA).
Komisioneri Avromopoulos ka vizituar kampet e migrantëve në ishullin Lesbos i shoqëruar nga ministri grek për Politika të Migrimit, Yannis Mouzalas dhe kryebashkiaku i Lesbosit, Spirso Galinos, ndërsa më pas ka dalë me deklaratë për media.
Duke tërhequr vëmendjen drejt vështirësive të migrantëve në kushtet e këqija atmosferike dhe reshjet e borës që javën e kaluar përfshinë rajonin, Avromopoulos tha: “Refugjatët nuk mund të lihen në të ftohtë e të sfidojnë kushtet e rënda të motit pa pasur madje asnjë çati mbi kokë. Zgjidhja duhet të gjendet sot, e jo nesër ose javën e ardhshme. Unë jam i bindur se do të gjendet hapësirë për çadrat e UNHCR-së të financuara nga Bashkimi Evropian, për t'u ngritur si një zgjidhje e përkohshme humanitare."
Avromopoulos theksoi se BE-ja do të vazhdojë ta mbështesë Greqinë për gjetjen e zgjidhjes. “Dua të theksoj se me mbështetjen financiare prej mbi një miliard euro në dy vitet e fundit, Greqia është përfituesi më i madh nga fondet e punëve të brendshme të BE-së. Ne jemi të gatshëm për të siguruar edhe më shumë kur është e nevojshme”, është shprehur Avromopoulos.
“Menaxhimi i krizës së migrantëve është përgjegjësi e përbashkët e Evropës”
Komisioneri Avromopoulos më tej ka bërë thirrje për përshpejtimin e hapave për rivendosjen e refugjatëve në shtetet e BE-së. Duke nënvizuar se marrëveshja mes BE-së dhe Turqisë për migrantët ka parandaluar vdekjet “tragjike”, ai ka vlerësuar se “Megjithatë, menaxhimi i krizës më të madhe të migrantëve në Evropë, është përgjegjësi e përbashkët e Evropës.”
Ndërkaq, duke folur për vështirësitë e përjetuara në ishuj pas arritjes së marrëveshjes për migrantët, Avromopouos është shprehur: “Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë krah për krah me OKB-në për të punuar në zvogëlimin e dendshmërisë në ishuj, transferimin e njerëzve të rrezikuar, kthimin e njerëzve të cilët nuk kanë të drejtë për azil dhe përshpejtimin e kthimit përsëri në Turqi ku do të mund të merren nën mbrojtje.”
Nga ana tjetër, ministri Mouzalas ka përkrahur përpjekjet e qeverisë greke, duke thënë se vetëm 700 nga 60 mijë njerëz që kanë ngelur në Greqi pas mbylljes së kufijve qëndrojnë në çadra, kurse pjesa tjetër jetojnë në kushte më pozitive.