Hasan Esen
26 Shtator 2017•Përditësim: 26 Shtator 2017
BRUKSEL (AA) - Bashkimi Evropian (BE) ka shprehur keqardhje për shkak se nuk u morën në konsideratë thirrjet që të mos mbahet referendumi i njëanshëm dhe kryesisht në rajonet kontestuese në veri të Irakut, raporton Anadolu Agency (AA).
Në deklaratën me shkrim nga Zyra e Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Marrëdhëniet e Jashtme dhe Politikës së Sigurisë, Federica Mogherini në lidhje me referendumin kontrovers të zhvilluar dje nga Administrata Rajonale Kurde e Irakut thuhet se BE konfirmon mbështetjen e integritetit territorial të Irakut.
"BE-ja ka konfirmuar vazhdimisht mbështetjen e saj për unitetin, sovranitetin dhe integritetin territorial të Irakut. Për këtë arsye BE-ja ka bërë thirrje që referendumi të mos mbahet në mënyrë të njëanshme dhe kryesisht në rajonet kontestuese. Shprehim keqardhje për shkak se nuk u morën në konsideratë këto thirrje", thuhet në deklaratën e BE-së.
Në vazhdim të deklaratës u bëhet thirrje palëve për sens të përbashkët, maturi dhe kërkohet ripërtëritja e angazhimit për të gjetur zgjidhje për të gjitha problemet politike dhe ekonomike në kuadër të kushtetutës së Irakut.
Gjithashtu në deklaratë vihet theksi se uniteti i Irakut, kërcënimi nga organizata terroriste, rindërtimi i zonave të çliruara janë kusht për ndërtimin e një Iraku stabil, të sigurtë, të begattë dhe gjithëpërfshirës në mënyrë që të jetë në dobi të të gjithë popullatës.