BALLKANI

Zyra e Guvernatorit të Edirnesë organizon program iftari në Maqedoninë e Veriut

Në programin e iftarit morën pjesë përfaqësues të institucioneve turke, përfaqësues të institucioneve dhe politikanë nga Maqedonia e Veriut, diplomatë dhe përfaqësues të organizatave të ndryshme

Dzihat Aliju  | 04.03.2026 - Përdıtësım : 04.03.2026
Zyra e Guvernatorit të Edirnesë organizon program iftari në Maqedoninë e Veriut Foto: Doğukan Vurgun / AA

Shkup

Me iniciativën e Zyrës së Guvernatorit të Edirnesë, Platforma e Bashkëpunimit të Qyteteve të Ballkanit Edirne, me mbështetjen e Ambasadës së Turqisë në Shkup, u organizua program iftari në Maqedoninë e Veriut, raporton Anadolu.

Në programin e mbajtur në një hotel në Komunën Studeniçan morën pjesë Ambasadori i Turqisë në Shkup, Fatih Ulusoy, zëvendësguvernatori e Edirnesë, Sidki Zehin dhe Omer Sevgili, Ambasadori i Kazakistanit në Shkup Satybaldy Burshakov, politikanë nga Maqedonia e Veriut, Myftiu i Shkupit, Qenan İsmaili, kryetari i Lidhjes së Organizatave Joqeveritare Turke në Maqedoni (MATUSİTEB), Tahsin Ibrahim, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke në vend si dhe shumë të ftuar.

Ambasadori Ulusoy, në fjalën e tij, falënderoi Zyrën e Guvernatorit të Edirnesë dhe guvernatorin e Edirnesë, Yunus Sezer, për organizimin e programit të iftarit.

Duke theksuar se komuniteti turk në Maqedoninë e Veriut përbën një lidhje të fortë mes dy vendeve dhe vazhdon të japë kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e vendit në çdo fushë, Ulusoy tha: "Dëshiroj të theksoj edhe një herë me këtë rast se me të gjitha institucionet tona jemi gjithmonë pranë vëllezërve tanë në këto troje dhe do të vazhdojmë të jemi edhe në të ardhmen. Dua të shpreh edhe një herë se sigurinë, mirëqenien dhe stabilitetin e Ballkanit nuk i ndajmë nga siguria, mirëqenia dhe stabiliteti ynë".

Ulusoy rikujtoi se me udhëzimin e Presidentit Recep Tayyip Erdogan, xhamia më e madhe në Maqedoninë e Veriut, e ndërtuar në Shkup nga Fondacioni i Kryesisë së Çështjeve Fetare të Turqisë (TDV), është hapur për falje, duke shprehur dëshirën që muaji i Ramazanit ta forcojë edhe më shumë unitetin, bashkimin, paqen dhe dashurinë.


- "Në Ramazan, pa dallim feje, race apo medhhebi, mblidhemi në të njëjtat sofra"

Zëvendësguvernatori i Edirnesë, Zehin, theksoi se ndjejnë lumturi që janë sërish bashkë në programin tradicional të iftarit dhe përcolli përshëndetjet e guvernatorit të Edirnesë, Yunus Sezer, i cili nuk mundi të marrë pjesë për shkak të ndryshimit të programit.

Duke theksuar se muaji i Ramazanit është muaj i unitetit, bashkimit dhe solidaritetit, Zehin tha: "Në Ramazan, që është muaj i fitimeve shpirtërore në çdo kuptim, pa dallim feje, race apo medhhebi, mblidhemi në të njëjtat sofra. Si Zyra e Guvernatorit të Edirnesë, në sofrat që shtrojmë në vendet e Ballkanit takohemi me vëllezërit, miqtë dhe fqinjët tanë. Na nderuat me pjesëmarrjen tuaj".

Kryetari i Komunës Studeniçan, Ejup Abazi, nga ana tjetër falënderoi organizatorët.

Programi i iftarit përfundoi me koncertin me ilahi nga artistët e Korit Shtetëror të Edirnes, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Arteve të Bukura të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, si dhe me "shfaqjen sema".

Platforma e Bashkëpunimit të Qyteteve të Ballkanit Edirne do të vazhdojë programet e iftarit në qytetet Prishtinë të Kosovës, Elbasan të Shqipërisë dhe Xanthi e Komotini të Greqisë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.