Saimir Alija
27 shkurt 2020•Përditësim: 28 shkurt 2020
Në Tiranë u zhvillua sot konferenca e nivelit të lartë me temë: "Siguria rrugore 2020", që kishte në fokus diskutimet në lidhje me ndryshimet në kodin rrugor, raporton Anadolu Agency (AA).
I pranishëm në këtë konferencë, ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Sandër Lleshaj tha se raporti Global për Sigurinë Rrugore i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), i dhjetorit 2018, thekson se numri i viktimave të qarkullimit rrugor në nivel botëror ka arritur në shifrën e 1,35 milionë njerëzve në vit dhe se vrasësi më i rrezikshëm i njerëzve mes moshës 5 - 29 vjeç janë aksidentet në rrugë.
Sipas tij Bashkimi Europian konsiderohet si një ndër zonat më të sigurta në botë në këtë fushë dhe gjatë periudhës 2010-2018 numri i aksidenteve u ul me 21 për qind.
“Në vitin 2019 Shqipëria regjistroi 227 të vrarë në aksidente, nga 378 në 2009, me një ulje prej 40 për qind. Por përsëri shqetësimi mbetet i lartë. Aksidentet janë vrasësi kryesor, pas sëmundjeve të rënda. Aksidentet vrasin shumë herë më tepër se sa krimi. Pjesëmarrja shumë e lartë e publikut në sondazhet e zhvilluara nga MB në interes të kësaj konference, në të cilat morën pjesë më shumë se 65 mijë qytetarë, tregon rëndësinë e jashtëzakonshme që ka tema për të cilën jemi mbledhur”, tha Lleshaj.
Duke folur për rëndësinë e kësaj konference, Lleshaj theksoi se qëllimi i saj është kërkimi i rrugëve dhe praktikave më të mira që të çojnë, sipas tij, drejt këtij objektivi të rëndësishëm kombëtar, që lidhet me sigurinë rrugore.
“Aksidentet në rrugë janë një vrasës i heshtur dhe pasojat e tyre kalojnë pa u vënë re shumë. Rënia e një avioni të madh me pasagjerë është një ngjarje shumë e rrallë dhe, nëse fatkeqësisht ndodh, merr vëmendjen e gjithë botës, ndërkohë që aksidentet në rrugë vrasin pa rënë shumë në sy”, tha ministri Lleshaj.
Në këtë konferencë morën pjesë edhe ministra të tjerë të kabinetit qeveritar të Shqipërisë, drejtues të Policisë së Shqipërisë dhe ekspertë.
Ndër ndryshimet kryesore që propozohen kanë të bëjnë me rritjen e kërkesave për cilësinë e lejeve të drejtimit të automjeteve, sidomos për rimarrjen e tyre dhe për futjen e testeve psikologjike për shkelësit përsëritës të rregullave të qarkullimit rrugor.