Malik Hasa
17 tetor 2015•Përditësim: 17 tetor 2015
TIRANË (AA) – Zëvendës ministrja e Financave të Shqipërisë, Irena Beqiraj ka mbajtur sot një konferencë për mediat ku është ndalur në reformën në bujqësi, ndërmarrë nga qeveria shqiptare, raporton Anadolu Agency (AA).
Ajo ka pohuar se reforma në bujqësi e nisur nga qeveria në gusht të vitit 2014, synon formalizimin e sektorit të prodhimit bujqësor, ku kërkohet pajisja me NIPT të fermerëve. Gjithashtu sipas saj kjo reformë u vjen në ndihmë fermerëve.
“Të gjithë fermerët me xhiro poshtë 5 mln lekësh mund të pajisen me numër Nipt pranë drejtorive rajonale dhe ai është numër identifikimi që grumbulluesit përdorin kur bëjnë autofatura e tyre. Ky 20 për qindëshi i TVSh-së është subvencion total i fermerit të pajisur me NIPT. Ndërkohë ajo që bëri kjo reformë jo vetëm i dha mundësi fermerit ta shiste produktin e vet me çmimin e plotë, përfshi dhe TVSH po i dha mundësi të gjithë grumbulluesve të njihnin TVSH e kreditueshme dhe si shpenzim të gjithë vlerën e produktit pa TVSH të blerë nga fermeri”, bëri të ditur Beqiraj.
Beqiraj tha ndër të tjera se kjo reformë në bujqësi i krijon mundësi grumbulluesit të blejë produktin e fermerit dhe të verifikohet që ky produkt është shqiptar. Sipas saj kjo reformë ka dhënë efektet e saj, synimi i së cilës ishte ulja e importit të produkteve bujqësore dhe rritja e eksportit të tyre.
Disa ditë më parë fermerë nga rrethet e jugut të vendit protestaun për shkak të problemit të shitjes së produkteve bujqësore.