Ivana Ramadanova
15 dhjetor 2015•Përditësim: 16 dhjetor 2015
SHKUP АА – Ambasada e Francës në Shkup në bashkëpunim me Ministrinë e Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor të Maqedonisë, Zyrës së UNDP-së dhe Shoqata “Go Green – Ji i gjelbërt” organizoi takim debatues lidhur me rezultatet e Konferencës së Parisit mbi ndryshimet klimatike, raporton Anadolu Agency (AA).
Përfaqësuesi i Ambasadës franceze Dominique Gautier tha se suksesi i madh për Francën është ajo se të gjithë bashkërisht arritëm marrëveshje zotuese, gjegjësisht marrëveshje rreth së cilës u dakorduan 195 vende.
"Me të vërtetë për vendin tim paraqiste sfidë e vërtetë të organizohet një ngjarje e tillë në të cilën morën pjesë një numër i madh i liderëve botëror ndërsa qëndruan edhe një numër i madh i delegacioneve për arritjen e qëllimeve të cilat janë të ndryshme për vendet. Po ashtu u vendosën mekanizma për të arritur qëllimin themelor, e ai është ulja për dy gradë e ngrohjes globale apo ndoshta për 1.5 gradë nëse me të vërtetë dëshmojmë rezultate. Negociatat ishin intensive dhe çdonjëri ka dhënë kontributin e vet. Ndonëse bisedimet dhe negociatat zgjatën, megjithatë, arritëm marrëveshje", deklaroi Gautier.
Ai tha se para nesh ka shumë punë që u dakorduan gjatë konferencës. "Shpresoj se shtetet do ta përmbushin atë që premtuan, gjegjësisht do t’i zbatojnë obligimet që kanë marrë në atë konferencë”, theksoi Gautier.
Ndërkohë, Teodora Obradoviq Gërnçarovska nga Ministria e Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor tha se ajo që thërret marrëveshja janë disa pika.
"E para është se do të ketë revidim të obliguar pesë vjeçar, të qëllimeve kombëtare për reduktimin e gazrave serrë nga të gjitha shtetet në botë. E dyta është se për herë të parë në historinë e negociatave ndërkombëtare është vendosur numri prej 1.5 gradë celsius deri në fund të shekullit krahasuar me periudhën paraindustriale. E treta është ajo se në vetë preambulën e marrëveshjes qëndron se e njëjta paraqet kontribut drejt rritjes së qëndrueshme të ulët të karbonit në të gjitha shtetet në botë, si dhe braktisjen e epokës së karburanteve fosile dhe e pesta financimi”, tha Gërnçarovska.
Pas dy javë negociatash, të shtunën në Paris përfaqësuesit e 195 shteteve miratuan marrëveshjen për ndryshimet klimatike të Kombeve të Bashkuara.