Dzihat Aliju
23 prill 2019•Përditësim: 24 prill 2019
Me shfaqjen e filmit "Bal Kaymak", në Shkup ka filluar Java e Filmit Turk dhe Punëtoria e Kinematografisë Turqi-Maqedoni e Veriut, raporton Anadolu Agency (AA).
Java e filmit organizohet nga Fondacioni Ensar nga Turqia me mbështetje të Ministrisë turke të Kulturës, ndërkohë që në hapjen e organizuar në kampusin e Universitetit Ndërkombëtar Ballkanik (IBU) morën pjesë ministri i Kulturës i Maqedonisë së Veriut, Asaf Ademi, përfaqësues të Ambasadës së Turqisë në Shkup, përfaqësues të organizatave dhe institucioneve turke në vend dhe të ftuar të shumtë.
Duke folur për gazetarët, ministri Asaf Ademi tha se Turqia dhe Maqedonia e Veriut kanë marrëdhënie të shkëlqyera në çdo nivel dhe shtoi se beson se java e filmit të Turqisë në Maqedoninë e Veriut, edhe më tepër do të ndikojë në thellimin e marrëdhënieve.
"Kultura është një mediator mjaft i fuqishëm në këtë sferë. Kinematografia e Turqisë është mjaft e zhvilluar edhe besoj se të gjithë të pranishmit do të kënaqen me filmat që do të shfaqen gjatë kësaj jave", tha Ademi.

Ndërkaq, koordinatori i Punëtorisë Kinematografike Turqi-Maqedoni e Veriut, Murat Tufan, tha se organizimi do të zgjasë katër ditë dhe në kuadër të tij do të shfaqen tetë filma, përfshirë dy dokumentarë.
"Një prej tyre është dokumentari Göbeklitepe. Producentët dhe regjisorët e filmave janë këtu dhe më pas do të zhvillohen biseda me ta", tha Tufan.
Organizimi do të përfundojë të premten me një koncert të Orkestrës Simfonike të Universitetit të Trakisë nga Turqia.
Ndërkaq, Emir Şerif Yıldız, producent i filmit "Bal Kaymak", tha se gati i tërë filmi është xhiruar në Maqedoninë e Veriut dhe shprehu shpresë se filmi do të pëlqehet nga shikuesit.
Para ceremonisë u hap edhe Ekspozita e Afisheve të Kinematografisë Turke.
Në kuadër të Javë së Filmit Turk, që do të zgjasë deri më 26 prill, në Kinemanë Milenium në Shkup, në IBU dhe në kompleksin e Shkollave Ndërkombëtare Maarif në Tetovë do të shfaqen filmat "Kaos" "Aydede", "Hürkuş", "Halef" dhe "Të gjitha lumturitë janë të mundura" (Bütün Saadetler Mümkündür).
Filmdashësit do të mund të ndjekin edhe dokumentarët "Göbeklitepe" të autorit Oğuz Makal dhe "Tamburica" nga Sali Saliji.