Moustafa Maged Haboosh,Afra Aksoy
25 Prill 2019•Përditësim: 26 Prill 2019
Artisti palestinez Ali al-Jabali në një mënyrë të jashtëzakonshme portretizon dhimbjen e banorëve të qytetit me veprat e tij të cilat i ekspozon në rrënojat e ndërtesave të dëmtuara rëndë në sulmet e Izraelit ndaj Gazës në korrik 2014, shkruan Anadolu Agency (AA).
Jabali ka përdorur muret e shkatërruara të një ndërtese në lagjen En-Nasr në perëndim të qytetit për të shprehur problemet me të cilat përballen palestinezët në Gaza dhe këtë ekspozitë të jashtëzakonshme ai e ka emëruar "Ëndërruesit mes rrënojave".
Artisti palestinez Ali al-Jabali në një mënyrë të jashtëzakonshme portretizon dhimbjen e banorëve të qytetit me veprat e tij të cilat i ekspozon në rrënojat e ndërtesave të dëmtuara rëndë në sulmet e Izraelit ndaj Gazës në korrik 2014. ( Mustafa Hassona - Anadolu Agency )
Ai tha se në ekspozitë janë 10 vepra nga të cilat 6 janë pikturuar në tablo me bojë vaji ndërsa 4 të pikturuara në 4 muret ku janë përdorur fytyra të fëmijëve, gruas, të moshuar dhe i një të riu. "Këto piktura shprehin dhimbjen me të cilën banorët e rajonit përballen si rezultat i sulmeve të vazhdueshme të Izraelit dhe nga kushtet e vështira të jetesës", tha Jabali.
Artisti palestinez shprehu dëshirën e tij që me ekspozitën të kontribuojë në mesazhin që i jepet botës dhe komunitetit ndërkombëtar për të kuptuar fytyrën e brendshme të problemeve të përjetuara nga populli i Gazës.
Ahmed Sıyam, një nga vizitorët e kësaj ekspozite të pazakontë tha se "Fytyrat e dëshpëruara, të frikësuara dhe të lodhura përshkruajnë me të gjithë realitetin e tyre ngjarjet në Gaza".
Sıyam tha më tej se veprat pasqyrojnë vështirësinë e jetës në Gaza, veçanërisht për fëmijët dhe gratë.
Izraeli që nga viti 2006 e deri më tani mban nën bllokadë tokësore, ajrore dhe detare Rripin e Gazës.
Përafërsisht 2 milionë palestinezë që jetojnë në Rripin e Gazës mbijetojnë në kushte të vështira jetese për shkak të bllokadës që vazhdon për vite me radhë dhe për shkak të sulmeve gjithëpërfshirëse që Izraeli ka ndërmarrë në vitin 2008, 2012 dhe së fundmi në 2014. Pas sulmeve izraelite që kanë në objektiv njësitë e vendbanimeve mbeten qindra persona të vdekur dhe të plagosur si dhe mijëra ndërtesa të shkatërruara plotësisht ose pjesërisht të shkatërruara.