BALLKANI

"Maqedonia e Veriut po bën atë që rekomandohet nga OBSH"

Drejtori rajonal i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Evropë, Hans Kluge, tha se Ministria e Shëndetësisë dhe Qeveria po zbatojnë rekomandimet dhe po bëjnë atë që duhet bërë

Abdula Berisha  | 27.02.2020 - Përdıtësım : 27.02.2020
"Maqedonia e Veriut po bën atë që rekomandohet nga OBSH" ( Abdula Berisha - Anadolu Agency )

Shkup

Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, ka mbajtur një konferencë të përbashkët për media me drejtorin rajonal të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për Evropë, Hans Kluge, pas paraqitjes së rastit të parë të koronavirusit në vend, raporton Anadolu Agency (AA).

Filipçe dhe Kluge morrën pjesë në forumin e dytë nacional "Nëna të shëndosha, foshnja të shëndosha: Maqedonia e Veriut u përgjigjet sfidave", pas çka informuan për të dhënat e fundit në lidhje me koronavirusin e ri Covid-19.

"Pacientja që është shtruar në klinikën infektive ndihet mirë, ka një pasqyrë të lehtë klinike, pa shenja të ndonjë ndërlikimi. Trajtohet në mënyrë simptomatike dhe është vendosur në departamentin e izolimit", tha Filipçe.

Ministri gjithashtu tha se janë kontaktuar të gjithë udhëtarët e tjerë që kanë udhëtuar me pacienten. Ai theksoi se personat në fjalë kanë pasur kontakte vetëm me familjet e tyre dhe se janë vendosur në izolim shtëpiak, operacion i cili siç informoi ai, organizohet në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Filipçe gjithashtu tha se nuk ka raste të reja të konfirmuara, ndonëse siç theksoi ai, po hetohen 2 raste tjera për të cilat paralajmëroi informacione përfundimtare më vonë gjatë ditës.

Drejtori rajonal i OBSH-së, Hans Kluge, informoi se deri më sot, ka 81.104 raste të konfirmuara të koronavirusit në nivel global në 46 shtete, prej të cilave 20 shtete janë në rajonin e Evropës.

"Është e rëndësishme të kumtojmë se nga këto raste, 97 për qind janë në Kinë. Kjo është e rëndësishme thuhet sepse po flasim për reaksione proporcionale. Sa i përket Maqedonisë së Veriut, mund të them se shteti, Ministria e Shëndetësisë por edhe Qeveria, po bën atë që rekomandohet nga OBSH dhe atë që duhet bërë", tha Kluge.

Ai theksoi se dje ka arritur në Shkup nga Roma, ku ka pasur një konfencë të përbashkët për media me zyrtarët italianë dhe evropianë. Kluge theksoi se akoma nuk dihet plotësisht se si është përhapur koronavirusi në Itali, por megjithatë tha se situata është nën kontroll dhe se nuk ka vend për panik.

"Nuk ka arsye për alarm dhe nuk ka arsye për panik. Është një virus i ri dhe dua t'u siguroj se OBSH dhe unë personalisht si specialist i sëmundjeve infektive, merremi shumë seriozisht me këtë çështë dhe kemi mirëkuptim se njerëzit janë të shqetësuar për shëndetin e tyre dhe familjarëve të tyre", tha Kluge.

Ndryshe, ministri Filipçe dje konfirmoi rastin e parë të koronavirusit në Maqedoninë e Veriut, me ç'rast tha se bëhet fjalë për një paciente nga Shkupi e lindur në vitin 1970, e cila kishte qëndruar në Itali për ca kohë.

Si pasojë e epidemisë së koronavirusit deri më tani kanë vdekur 2.801 persona, prej të cilëve 2.744 në Kinë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın