BALLKANI

Në Maqedoninë e Veriut nis realizimi i projektit Parku shkencor teknologjik

Investimi fillestar në Parkun shkencor teknologjik është 500 mijë euro, ndërsa sipas studimit të fizibilitetit vlerësohet se realizimi i saj i plotë do të kushtoj 80 milionë euro

Husamedin Gina  | 18.02.2019 - Përdıtësım : 19.02.2019
Në Maqedoninë e Veriut nis realizimi i projektit Parku shkencor teknologjik

Shkup

SHKUP (AA) - Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançevski, së bashku me eurokomisaren për ekonominë dixhitale dhe shoqërinë, Mariya Gabriel, kanë hapur Parkun shkencor teknologjik për bashkëpunim midis universiteteve, raporton Anadolu Agency (AA).

Në fjalën e tij në hapjen e parkut, kryeministri Zaev theksoi se kjo do t’i hap rrugë përparimit dhe revolucionit dixhital.

“Pres dhe nuk dyshoj se Parku shkencor teknologjik do të bëhet një vend ku qytetarët do të zhvillojnë aftësi të reja, do të nxjerrin ide të reja, do të krijojnë risi të reja dhe shpikje të rëndësishme. Disa të rinj këtu do të fillojnë edhe biznese të reja”, tha Zaev, duke shtuar se hapja e parkut do t’u mundësojë të rinjve kushte për punë dhe standard të mirë të jetesës, që do t’u mundësoj të jetojnë këtu.

Eurokomisarja Gabriel inkurajoi të gjitha organizatat jofitimprurëse, komunitetet shkencore, studiuesit dhe po ashtu edhe të gjitha kompanitë që të japin kontributin e tyre, me qëllim që nga ky projekt të arrijnë një histori të vërtetë suksesi.

“Besoj se Maqedonia e Veriut, rajoni i Ballkanit Perëndimor me të vërtetë e ka këtë potencial që të jetë një histori e suksesit për të gjithë ne në Evropë”, tha Gabriel, duke shtuar se falë projekteve të tilla si Parku shkencor teknologjik i jepet përgjigje sfidës së formësimit të transformimit dixhital.

Duke theksuar se transformimi dixhital është në kulmin e axhendës së Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, BE-së dhe rajonit, ministri Mançevski tha se të gjitha vendet duhet të përfitojnë nga kjo periudhë e favorshme, kryesisht politikisht për të përmirësuar cilësinë e jetesës së qytetarëve.

“Parku shkencor teknologjik në Shkup do të thoja se është një nga provimet e jetës sime. Teknologjia ndryshon jetën tonë, ndërsa mënyra se si jetojmë dhe punojmë ndryshon teknologjinë. Dixhitalizimi dhe revolucioni i katërt prej kohësh kanë qenë këtu dhe e përcaktojnë jetën tonë të përditshme”, tha Mançevski.

Në promovimin e sotëm të Parkut shkencor teknologjik, morën pjesë edhe ministrat e shoqërisë informatike të Greqisë dhe Malit të Zi.

Investimi fillestar në Parkun shkencor teknologjik është 500 mijë euro, ndërsa sipas studimit të fizibilitetit vlerësohet se realizimi i plotë do të kushtoj 80 milionë euro. Parku do të bazohet në tre shtylla, edhe atë në dixhitalizimin në ekonomi, shoqëri dhe institucione shtetërore, transferim të teknologjive, si dhe në përshpejtimin e kompanive fillestarëve.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.