Saimir Alija
02 qershor 2019•Përditësim: 03 qershor 2019
Partitë opozitare të Shqipërisë kanë mbajtur në Tiranë protestën e radhës antiqeveritare, e cila është shoqëruar me tensione dhe përdorim të gazit lotsjellës nga policia, ndërsa janë lënduar disa policë dhe protestues, raporton Anadolu Agency (AA).
Protestuesit opozitarë të ardhur nga të gjitha qytetet e Shqipërisë u mblodhën fillimisht në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, për të vijuar në drejtim të selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë me sloganet “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa” dhe “Nuk ka zgjedhje pa opozitën”.
Protesta që në nisje është shoqëruar me tensione, ku protestuesit kanë hedhur fishekzjarrë, kapsolla, bojë dhe sende të tjera në drejtim të selisë së Kryeministrisë dhe kanë tentuar të çajnë kordonin e policisë, duke u përplasur me forcat e rendit.
Protesta u organizua nga Partia Demokratike (PD) dhe Partia Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), me kërkesën për krijimin e një qeverie tranzitore dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Në fjalën e tij gjatë protestës, kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, tha se "Gjithë shqiptarët janë bashkuar në asamblenë e paparë dhe të padëgjuar më parë të lirisë e demokracisë".,
"E gjithë beteja jonë bëhet për zgjedhje të lira e të ndershme, e gjithë beteja jonë bëhet për vlera evropiane", u shpreh Basha.
Pas fjalës së Bashës, protesta u zhvendos para selisë së sallës së seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa është shoqëruar me tensione, me përdorimin e tymueseve dhe kapsollave nga protestuesit.
Për shpërndarjen e protestuesve, policia ka përdorur gaz lotsjellës dhe ujë me presion, ndërsa si pasojë e hedhjes së kapsollave kanë mbetur të plagosur disa punonjës policie.
Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Sandër Lleshaj, në rrjetet sociale, ka konfirmuar se shtatë punonjës të policisë kanë mbetur të plagosur gjatë protestës.
Lidhur me protestën e opozitës ka reaguar presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, i cili bëri thirrje për vetëpërmbajtje dhe shmangien e incidenteve.
Ndërkohë, qindra forca policore u angazhuan pranë selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë, Kuvendit të Shqipërisë, Ministrisë së Brendshme dhe institucioneve të tjera për të shmangur incidentet gjatë protestës.
Partitë opozitare që pas dorëzimit të mandatave parlamentare në muajin shkurt kanë organizuar disa protesta, ndërsa insistojnë në organizimin e zgjedhjeve të parakohshme.
Nga ana tjetër, kryeministri i vendit, Edi Rama, kundërshton idenë për qeveri tranzitore, ndërsa partia në pushtet, Partia Socialiste, ka filluar përgatitjet për zgjedhjet vendore të 30 qershorit, duke prezantuar kandidatët për kryetarët e bashkive.