BALLKANI

Shqipëri, prezantohet nisma për mbrojtjen e mjedisit

Nën sloganin “Plastika nuk lë hapësirë për jetën”', fushata dymujore synon të rrisë ndërgjegjësimin për qytetarët dhe institucionet për mbrojtjen e mjedisit

Saimir Alija   | 07.11.2019
Shqipëri, prezantohet nisma për mbrojtjen e mjedisit ( Olsi Shehu - Anadolu Agency )

Tiranë

Delegacioni i Bashkimit Evropian (BE) në Shqipëri ka prezantuar fushatën me temë “Sot për mjedisin”, gjatë një aktiviteti me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve të ndryshme, raporton Anadolu Agency (AA).

Nën sloganin “Plastika nuk lë hapësirë për jetën”', fushata dymujore synon të rrisë ndërgjegjësimin për qytetarët dhe institucionet për mbrojtjen e mjedisit.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit i Shqipërisë, Blendi Klosi, në fjalën e tij në aktivitetin e hapjes së fushatës theksoi se nisma për ta bërë Shqipërinë të parin vend evropian pa qese plastike më 1 qershor 2020 do ta vendosë Shqipërinë në hartën e vendeve lider për veprimet konkrete kundër plastikës.

“Besoj që fushata e cila do të jetë e dakorduar me partnerët tanë ndërkombëtarë për reduktimin përfundimtar të përdorimit të qeseve plastike dhe për ta shndërruar Shqipërinë në të parin vend evropian pa qese plastike nga 1 qershori 2020, nga dita ndërkombëtare e fëmijëve, të jetë një aksion i cili na sjell ne Shqipërinë e vogël, me probleme të mëdha mjedisore, me probleme të mëdha të menaxhimit të mbetjeve urbane në hartën e vendeve lider në veprimet të vërteta, konkrete për të reduktuar përdorimin e plastikës në vendin tonë”, tha Klosi.

Klosi u shpreh se është e nevojshme të ndërmerren masa të forta për të krijuar në Shqipëri një ambient të pastër, miqësor me mjedisin, dhe të gjithë mënyrën e menaxhimit të mbetjeve urbane.

"Fushata do të shënojnë suksesin e saj kur edhe vetë qytetarët të refuzojnë përdorimin e qeseve plastike. Është një nismë e cila nuk shënon arritjen e saj kur vota parlamentare, vendimmarrja qeveritare, kartoni i deputetit, do të marrë vendimin që në Shqipëri të mos përdoren qeset plastike nga 1 qershori i vitit 2020, por do të jetë suksesi i kësaj fushate kur qytetarët, njerëz, të rinj, të reja, familjarët, të refuzojnë të përdorin qeset plastike”, theksoi Klosi.

Ndërsa ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca, në fjalën e tij theksoi se plastika është bërë një nga sfidat më të mëdha shëndetësore dhe mjedisore në kohët tona.

“BE ka përshtatur rregulla të reja për të nxjerrë jashtë përdorimit objektet plastike njëpërdorimshme nga viti 2021 dhe shqiptarët duhet të përfitojnë nga i njëjti nivel i mbrojtjes së mjedisit. BE është duke punuar me shtetet anëtare që përmirësojnë jetën e përditshme për shqiptarët sepse ata e meritojnë dhe sepse kjo e sjell Shqipërinë më afër standardeve evropiane”, tha Soreca.

Fushata dymujore e organizuar nga Delegacioni i BE-së në Shqipëri, synon të rrisë ndërgjegjësimin për mbrojtjen e mjedisit dhe ndotjen nga plastika.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın