BALLKANI

Haradinaj: Drejtori i inteligjencës dha dorëheqje për shkaqe shëndetësore

Drejtori i AKI-së, Shpend Maxhuni dha dorëheqje të mërkurën, dorëheqje të cilën e pranoi dhe e lajmëroi kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj nëpërmjet rrjeteve sociale

Agim Sulaj  | 07.11.2019 - Përdıtësım : 07.11.2019
Haradinaj: Drejtori i inteligjencës dha dorëheqje për shkaqe shëndetësore ( Erkin Keçi - Anadolu Agency )

Prishtinë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj ka folur sot në një konferencë për media në Qeverinë e Kosovës për dorëheqjen e drejtorit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), Shpend Maxhuni, raporton Anadolu Agency (AA).

Drejtori i AKI-së, Shpend Maxhuni dha dorëheqje të mërkurën, dorëheqje të cilën e pranoi dhe e lajmëroi kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj nëpërmjet rrjeteve sociale.

Haradinaj duke e vlerësuar punën e Maxhunit si drejtor të AKI-së, tha se “puna e tij në shërbim të vendit është e çmueshme”. Sipas Haradinajt, Maxhuni i cili është në detyrë të drejtorit të AKI-së nga prilli i vitit 2018, ka dhënë dorëheqje për arsye shëndetësore.

“Shpend Maxhun si drejtor i AKI-së është lartë në notën e vlerësimit. Prej meje në këtë rast, por edhe prej aleatëve që punojnë punët e njëjta. Vendimi është personal i tij. Motivacioni është arsyeja shëndetësore që unë e respektoj. AKI ka zëvendësdrejtor, por ende s’ka kryeinspektor, por edhe detyrën e kryeinspektorit e ushtron një zyrtar më i lartë i Inspektoratit të Brendshëm”, tha Haradinaj.

Ai tha se tani për tani nuk di se si të veprojë që të mos lë vakum në këtë institucion, por do të shikojë për kompetencat e tij që sa më parë të rizgjidhet drejtori i ri.

Haradinaj duke folur për raportin e punës së qeverisjes së tij për dy vjet, në pika të përmbledhura tha ndër të tjera se Qeveria Haradinaj ll ka miratuar 140 projektligje, 70 akte nënligjore, 250 akte nënligjore të nxjerra nga ministrat në kuadër të fushëveprimit të tyre, 29 projektligje me ndikim të drejtpërdrejt për zhvillimin ekonomik, etj.

I pyetur nga gazetarët se çfarë i ka mbetur peng gjatë dy viteve të qeverisjes së tij, Hardinaj tha se “një punë më e madhe në sektorin privat”.

“Çfarë më ka mbetur peng realisht është një punë më e madhe me sektorin privat. Ne kemi vendosur një rregull në sektorin publik. Tani ligji i pagave është në fuqi. Më 1 dhjetor pagat jepen në bazë të ligjit me rritje. Mirëpo, e di se sektori privat vuan prej disa anomalive, t’i quaj ashtu, disa parregullsive, disa problemeve edhe punëtorët vuajnë po ashtu. Pra, nuk është një marrëdhënie mirë e rregulluar qoftë institucione-sipërmarrës po pastaj qoftë sipërmarrës-punëtorë”, tha Haradinaj.

Kryeministri në detyrë u shpreh optimist se liberalizimi i vizave për kosovarët do të ndodhë së shpejti. Për këtë çështje ai tha se priten zhvillime pozitive gjatë muajit dhjetor të këtij viti, ngase procesi është në finale.

Ai tha se për këtë çështje ka merita dhe faj. Merita ngase gjatë kohës së qeverisjes së tij janë përmbushur të gjitha kushtet e kërkuara nga Bashkimi Evropian për liberalizim vizash, ndërsa faj, se ende një gjë e tillë s’ka ndodhur.

Sa i përket dialogut me Serbinë, Haradinaj tha se është për dialog. Mirëpo, nuk është për lëvizje të kufijve, shkëmbim të territoreve ose diçka që çon në ndarje të Kosovës. Ai tha se ndihet mirë për faktin se ka qenë ku duhet, ta thotë qëndrimin e drejtë të Kosovës se “Kosova nuk kthehet pas 17 shkurtit, pra nuk prekim në tërësi territoriale nga 17 shkurti në kufij, Kushtetutë”.


Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.