BALLKANI

Shqipëri, fillon viti i ri shkollor

Procesi mësimor ka filluar sot në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme në vend, në institucionet arsimore publike dhe private.

Fatjon Cuka  | 08.09.2025 - Përdıtësım : 08.09.2025
Shqipëri, fillon viti i ri shkollor Foto: Olsi Shehu/AA

Tiranë

Në Shqipëri ka filluar viti i ri shkollor 2025-2026 në institucionet e arsimit parauniversitar në të gjithë vendin, raporton Anadolu.

Procesi mësimor ka filluar sot në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme në vend, në institucionet arsimore publike dhe private.

Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë, 345 mijë nxënës nisin sot vitin e ri shkollor, ndërkohë 26.500 prej tyre ulen për herë të parë në bankat e shkollës.

Procesi mësimor ka filluar edhe në shkollat që administrohen nga Fondacioni Turk Maarif në Shqipëri.

Fondacioni Turk Maarif, përveç Universitetit të New Yorkut në Tiranë, administron edhe disa institucione arsimore në sistemin parauniversitar në Shqipëri, si në Tiranë, Elbasan dhe Shkodër.

Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, janë organizuar aktivitete dhe ceremoni të ndryshme në Tiranë dhe qytete të tjera.

Mesazhe urimi nga zyrtarët

Urimet për fillimin e vitit të ri shkollor, Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, i përcolli nga shkolla e tij e vendlindjes në fshatin Gosë të Rrogozhinës.

Sipas njoftimit nga Presidenca e Shqipërisë, Presidenti Begaj u takua me nxënës, mësues e prindër gjatë vizitës në këtë shkollë nga ku u uroi suksese në mbarëvajtjen e mësimit, "duke theksuar rëndësinë që ka shkolla në formësimin e individit dhe shoqërisë dhe në kultivimin e vlerave njerëzore".

”Një shkollë e fortë formëson qytetarë të ditur. Qytetarët e ditur ndërtojnë shoqëri të zhvilluar, të ardhme të ndritur dhe Shqipëri të fortë. Uroj, besoj dhe shpresoj që ju të jeni një brez që e do gjuhën shqipe, ka pasionin e dijes, përqafon teknologjinë, çmon dhe respekton njëri-tjetrin”, thuhet në urimin e Presidentit Begaj.

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka vizituar Institutin e Nxënësve që nuk Shikojnë “Ramazan Kabashi” në Tiranë, duke përcjellë edhe një mesazh urimi për nisjen e vitit të ri shkollor.

Kryeministri Edi Rama ka shkruar në rrjetet sociale se iu uron suksese nxënësve që ulen sot në bankat e shkollave.

Me rastin e nisjes së vitit të ri shkollor, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, ka përcjellë një video-mesazh urimi për nxënësit, mësuesit dhe prindërit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın