Admir Fazlagikj
29 Korrik 2020•Përditësim: 30 Korrik 2020
Punëtorët e turizmit organizuan një protestë në Shkup, duke thënë se "sektori i turizmit do të pësojë kolaps nëse shteti nuk reagon menjëherë", raporton Anadolu Agency (AA).
Pasdite në Shkup, qindra punëtorë të turizmit marshuan nëpër qendrën e qytetit drejt ndërtesës së Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, nga ku ata shprehën kërkesat e tyre me qëllim adresimin e situatës së tyre të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit të ri (COVID-19).
"Ndihma për agjencitë do të thotë shpëtim për turizmin", "Treqind agjenci udhëtimi do t'ua vënë çelësin dyerve", "Turizmi në respirator", "Kemi nevojë për ndihmë tani dhe menjëherë", "Shteti do të humbasë taksa në miliona", "Autobusët do të mbesin të parkuar”, ishin pjesë e banderolave të protestës së sotme paqësore të organizuar nga punëtorët e turizmit.
Protestuesit thanë që nëse shteti nuk u përgjigjet dhe nuk i ndihmon ata menjëherë, sektori i turizmit do të pësojë kolaps dhe rreth 5.000 familje do të mbesin pa të ardhura.
Ata theksuan se nuk kanë punuar më shumë se pesë muaj dhe nuk po krijojnë asnjë përfitim dhe sipas situatës aktuale, kjo gjendje mund të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme për shkak të pandemisë COVID-19. Punëtorët e turizmit informuan se për shkak të situatës, ata nuk mund të plotësojnë kostot dhe detyrimet aktuale, duke theksuar se ekzistenca e tyre është në pikëpyetje dhe se nëse vazhdon kjo situatë, ata do të detyrohen t'ua "vendosin çelësin dyerve".
Siç thonë ata, nëse shteti ndihmon sektorin e turizmit që të mbijetojë, do të ndihmojë edhe aktivitetet e tjera në ekonomi, sepse të gjitha janë të ndërlidhura.
"Subvencionimi i pagave prej 14.500 denarëve deri në fund të vitit me 100 për qind mbulim të kontributeve, ndihmë financiare të pakthyeshme prej 500 eurosh për ndërmarrjet me pesë të punësuar dhe 1.000 euro për ndërmarrjet me më shumë se pesë punonjës përmes Fondit të Turizmit sipas qarkullimit në vitin 2019, shtyrja e ripagimit të kredive, përjashtimi i TVSH-së dhe depozitave deri në fund të vitit, aprovimi i kredive pa interes për të gjithë pa asnjë kusht, ndërsa për ato të aprovuara, zgjatja e peridudhës së mospagimit (Grace) nga gjashtë në 12 muaj", thanë punëtorët turistikë, duke shprehur kërkesat e tyre para qeverisë.
Pjesëmarrësit e protestës kujtuan se në qershor të këtij viti ata drejtpërdrejt paraqitën kërkesat në Ministrinë e Ekonomisë së Maqedonisë së Veriut dhe përsëritën pritjen që qeveria të përgjigjet në mënyrë specifike se si mund t'i ndihmojë ata.
Në fund të protestës, punëtorët e turizmit hodhën dryna dhe çelësa në një kuti, duke dërguar mesazh simbolik se "nëse nuk marrin ndihmë të menjëhershme nga shteti, do të detyrohen t'i mbyllin dyert e agjencive turistike në vend".