Husamedin Gina
04 Shtator 2019•Përditësim: 05 Shtator 2019
Shoqata kundër kancerit "Borka - për çdo ditë të re" mbajti sot konferencë për media në kuadër të shënimit të shtatorit, si muaj kushtuar ngritjes së vetëdijës për sëmundjet hematologjike malinje, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjatë prezantimit të të dhënave u adresuan ministri i Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, Venko Filipçe, kryetarja e Shoqatës "Borka - për çdo ditë të re", Biba Dodeva, kryetari i Shoqatës së të sëmurëve nga leukemia kronike mieloide, Pepo Levi dhe drejtoresha e Klinikës së Hematologjisë, Irina Panovska-Stavridis.
Ministri i Shëndetësisë, Filipçe vuri në dukje se në vitet e kaluara kanë arritur të sigurojnë 30 ilaçe të reja të nevojshme për trajtimin e pacientëve me sëmundje malinje të cilët nuk ishin fare të pranishme në vend.
"Së pari, 30 molekula të reja, do të thotë ilaçe që nuk ishin fare të pranishme në vendin tonë. Pastaj rritja e numrit të pacientëve që marrin tani këto ilaçe. Gjëja e tretë e rëndësishme është vazhdimësia e trajtimit", tha ministri Filipçe, duke theksuar se procesi i planifikimit shumëvjeçar të prokurimit kishte kursyer miliona dollarë.
"Ndërgjegjësimi i sëmundjeve malinje hematologjike është jashtëzakonisht i rëndësishëm për zbulimin e shpejtë të këtyre sëmundjeve", tha Biba Dodeva, kryetarja e Shoqatës "Borka - për çdo ditë të re", duke thënë se janë të lumtur sepse për trajtimin e këtyre sëmundjeve janë futur metodat e fundit.
"Për herë të parë kemi qasje në një numër opsionesh terapeutike që nuk kanë qenë të disponueshme për pacientët tanë deri më tani. Ne sinqerisht shpresojmë se ky trend pozitiv do të vazhdojë dhe se zgjerimi dhe modifikimi i listës pozitive do të zgjidhet në mënyrë sistematike", tha Dodeva.
Panovska-Stavridis, duke iu referuar numrit të sëmundjeve malinje hematologjike, tha se Maqedonia e Veriut po bashkohet me trendin global të incidencës në rritje të sëmundjeve malinje hematologjike.
"Më së shumti rritet numri i pacientëve me leukemi akute. Këtu është një statistikë interesante që mund t'iu tregoj. Për shembull në vitin 2014, 50 pacientë u diagnostikuan me leukemi akute gjatë gjithë vitit, 91 ishin vitin e kaluar dhe deri më 30 qershor të këtij viti ne kemi tashmë 50 pacientë të rinj të diagnostikuar me leukemi akute", tha drejtoresha Panovska-Stavridis.
Në nivel global, shtatori është i dedikuar për rritjen e ndërgjegjësimit për sëmundjet malinje të gjakut. Në të njëjtën kohë, dërgohet një mesazh për të mbështetur hulumtimet për gjetjen e terapive efektive për të ndihmuar pacientët me trajtimin e nevojshëm.