Admir Fazlagikj
24 Prill 2019•Përditësim: 24 Prill 2019
Riaseti i Bashkësisë Islame Fetare të Republikës së Maqedonisë së Veriut (BFI) sonte mbajti një mbledhje të jashtëzakonshme, pasi sot ish-sekretari i Myftinisë së Shkupit Skender Buzaku u shfaq në selinë e BFI-së duke thënë se ka një vendim gjykate sipas të cilit ai është kreu i ri i këtij institucioni fetar, raporton Anadolu Agency (AA).
Pas seancës së Riasetit në Kondovë të Shkupit, kryetari i BFI-së Sulejman Rexhepi mbajti një konferencë për shtyp, në të cilën vendimin e Gjykatës Themelore Shkupi 2 e quajti "skandal primitiv."
"Në emër të kolegëve të mi, anëtarë të Riasetit të BFI-së me të cilët mbajtëm seancë, ju informoj se BFI është prekur fuqishëm nga ky skandal që ndodhi. Skandali nuk është ad-hok, nuk më kujtohet një skandal i tillë primitiv, me vetëdije, me mendje, me sy dhe zemër, aq thellë të bien në krim të cilin e gjithë bota do ta dënojë", tha Rexhepi.
Ai shtoi se opinioni do të shohë se çfarë mbështetje do të ketë në ditët në vijim BFI nga bashkësia ndërkombëtare.
Rexhepi tha se nuk e njohin kryetarin aktual të Komisionit për Marrëdhënie me Bashkësitë Fetare dhe Grupet Fetare në Maqedoninë e Veriut, Darijan Sotirovski, për të cilin tha se është "bashkëpunëtor i asaj që ndodhi."
"Unë përcjell dhe deklaroj se ne nuk e dëshiruam, e as nuk e merituam këtë, sepse ne kemi qenë dhe mbetemi një komunitet shembullor. Ne kujtojmë ende nga sistemi i mëparshëm. Avangarda e të gjitha komuniteteve ishte BFI", tha Rexhepi në konferencën për shtyp.
Në orët e pasdites, përpara selisë së BFI-së në Shkup pati një prani të policisë dhe dera e hyrjes së këtij institucioni ishte e mbyllur.
Para mediave u shfaq Skender Buzaku, i cili tha se nga sot në bazë të një vendimi gjyqësor ai është kreytari i ri i BFI-së.
Ai tha se i ka dërguar letër policisë financiare për të inspektuar punën financiare në BFI-së.
I pyetur nga mediat se a është ai kreu i ri i BFI-së, ai u përgjigj pozitivisht, duke thënë se pretendimi i tij bazohet "në të gjitha rregulloret të brendshme dhe në vendim gjyqësor".
Buzaku para mediave tregoi vendimin e Gjykatës Themelore Shkupi 2 nga data 17 prill 2019, sipas të cilit ai ushtron detyrën e kryetarit të BFI-së.
Pas deklaratës së tij, kryesia aktuale e BFI-së doli me reagim.
Muamer Veseli, anëtar i Riasetit, në një prononcim për mediat në selinë e BFI-së tha se kanë ngelur të habitur nga ngjarjet e këtilla.
Ai tha se Sulejman Rexhepi do të vazhdojë të jetë kryetar i BFI-së, pasi, siç theksoi ai, BFI ka rregullat e veta dhe se përgjegjës për shkarkimin e kryetarit të këtij institucioni nuk mund të jenë gjykatat e vendit.
- MPB: "Nuk është konstatuar prishje e rendit dhe publik"
Në lidhje me zhvillimet e sotme në BFI, me një komunikatë për opinionin doli edhe Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut, e cila tha se sot në selinë e BFI-së në Shkup "nuk është konstatuar prishje e rendit dhe qetësisë publike".
"Ministria e Brendshme informon publikun se pas pranimit të dy denoncimeve, (nga të dyja anët), nëpunësit e policisë u drejtuan në selinë e BFI-së në Bit Pazar dhe në vendin e ngjarjes nuk u konstatua prishje e rendit dhe qetësisë publike. Ministria e Brendshme ka për detyrë të garantojë rendin dhe qetësinë publike, ndërsa çështjet e brendshme të BFI-së janë çështje të anëtarëve të kësaj bashkësie fetare dhe ne kundështojmë fuqishëm përpjekjen nga ana e individëve dhe subjekteve politike për të përfshirë ministrinë në këto ngjarje", thuhet në komunikatën e Ministrisë së Brendshme.
Një incident tjetër brenda BFI-së u krijua edhe në vitin 2015, kur u tentua që kryetar i institucionit të emërohet ish-Myftiu i Shkupit, Ibrahim Shabani, i cili mbështetej nga Buzaku, atëkohë sekretar i Myftinisë së Shkupit, por më pas në një mbledhje të Riasetit të BFI-së ata u shkarkuan nga postet e tyre.