Eren Beksaç,Dzihat Aliju
23 Prill 2019•Përditësim: 24 Prill 2019
Në qytetin e Prizrenit u organizua pritje solemne me rastin e 23 Prillit- Festës Kombëtare të Turqve të Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).
Në pritjen e organizuar në mikpritje të kryetarit të Partisë Demokratike Turke të Kosovës (PDTK), Mahir Yağcılar, njëherësh ministër i Administratës Publike, morën pjesë zëvendësministri i Jashtëm i Turqisë, Faruk Kaymakcı, zëvendëskryeministri i Kosovës Enver Hoxhaj, ministri i Zhvillimit Rajonal i Kosovës Rasim Demiri, ministri pa resor përgjegjës për Investime të Jashtme i Maqedonisë së Veriut Elvin Hasan, ambasadori i Turqisë në Prishtinë Çağrı Sakar dhe të ftuar të tjerë.
Në fjalën e tij, Yağcılar tha se kjo festë flet për praninë, forcën dhe të ardhmen e komunitetit turk në Kosovë.
"Ne përpiqemi ta gajllërojmë këtë organizim prej 11 vitesh, pa u mërzitur dhe pa përtuar", tha Yağcılar.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri i Kosovës Hoxhaj tha se komuniteti turk i Kosovës paraqet urë të fuqishme në raportet bilaterale të shtetit të tij me Turqinë.
Ai tha se është dëshmitar i mbështetjes së presidentit Recep Tayyip Erdoğan dhe kryeministrave dhe ministrave turq për zhvillimin e Kosovës dhe njohjen e saj në arenën ndërkombëtar.
"Vendimin e fundit që e kemi marrë në Kuvendin e Kosovës për themelimin e ushtrisë së Kosovës, në NATO, Turqia, krahas partnerëve amerikanë dhe evropianë, ka qenë mbështetëse e themelimit të ushtrisë së Kosovës", tha Hoxhaj.
Ndërkaq, Kaymakcı lexoi një mesazh urimi të ministrit të Jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu me rastin e festës.
"Ju kam sjellë përshëndetjet e presidentit Recep Tayyip Erdoğan, ministrit të Jashtëm Mevlüt Çavuşoğlu dhe të afërmve dhe miqve tuaj në Turqi", tha Kaymakcı.
"Turqia do të jetë gjithmonë në anën e një Kosove të fuqishme dhe demokratike. Do të jemi këtu gjithnjë, edhe në ditë të vështira, edhe në festë. Turqia do t'i vazhdojë të gjitha përpjekjet që Kosova të zë vendin e merituar në komunitetin ndërkombëtar. Me Kosovën kemi marrëdhënie të shkëlqyera dhe po e zhvillojmë bashkëpunimin në çdo fushë. Ne luftojmë së bashku kundër të gjitha organizatave terroriste, me në krye organizatën terroriste FETO", tha Kaymakcı.
Ndryshe, "Festa Kombëtare e Turqve të Kosovës" shënohet me aktivitete të ndryshme kulturore dhe artisitke që nga shpallja e pavarësisë së vendit më 17 shkurt të vitit 2008.