Besar Ademi
12 Prill 2016•Përditësim: 13 Prill 2016
SHKUP (AA) – Në selinë e Bashkësisë Fetare Islame (BFI) të Republikës së Maqedonisë u ndanë certifikata për 6 kompani vendase, të cilat gjatë tremujorit të parë e kanë zbatuar standardin “Hallall”, ndërsa në periudhën e tremujorit të dytë të këtij viti, BFI pret që numri të arrijë në 14 kompani, që nënkupton se edhe 8 kompani të tjera janë në fazën e zbatimit të standardit “Hallall”, raporton Anadolu Agency (AA).
Që nga viti 2009, në Maqedoni 27 kompani e kanë zbatuar standardin “Hallall”, edhe atë në fushën e industrisë ushqimore, qumështit dhe prodhimet e ujit të pijshëm, therrtore dhe fermave të pulave. Ministria e Ekonomisë, katër vite radhazi ndanë subvencione për kompanitë të cilat zbatojnë standardin “Hallall”, ndërsa këtë vit ky dikastier mbulon gjithsej 70 përqind të shpenzimeve të kompanive.
Ministri i Ekonomisë, Driton Kuçi bëri të ditur se në vitin 2013 institucioni që drejton ai, me një buxhet në vlerë prej 500 mijë denarësh ka bashkëfinancuar shpenzimet e kompanive për konsultime reth aplikimit të sistemit, të cilat siç tha ai, janë të obligueshme para se të jepet certifikata për sistemin “Hallall”. Ai theksoi se në vitin 2015 për këto shpenzime Ministria e Ekonomisë ka siguruar një buxhet prej 3.5 milionë denarësh, ndërsa për këtë vit gati 2 milionë denarë.
“Ju ftoj që të gjithë të aplikoni për masën e aplikimit të sistemit ‘Hallall’, sepse aplikimi i këtij standardi, sikurse për kompanitë e vogla dhe të mesme, ashtu edhe për kompanitë e mëdha, ofron disa mundësi, të tilla si shtimin e vlerës plotësuese të prodhimeve të shërbimeve të tuaja, si dhe afron prodhimet sinonim ‘ushqim i shëndoshë’, për të cilat shtohet numri i konsumatorëve, pavarësisht nga përkatësia fetare”, tha Kuçi.
Sipas tij, ky standard poashtu lehtëson paraqitjen në tregjet e reja, rrit nivelin e vetëdijes për sigurinë e ushqimit, si dhe përmirëson nivelin e komunikimeve inter-kulturore mes vendeve dhe pranimit të ndryshimeve në botë. Certifikatat u shpërndanë nga kryetari i BFI-së, Sulejman Rexhepi, ndërsa i pranishëm ishte edhe kryetari i Odës Ekonomike Veriperëndimore të Maqedonisë, Nebi Hoxha.
Standardi "Hallall" nënkupton sigurim shtesë në industrinë ushqimore, se prodhimet ushqimore janë të shëndetshme, kualitative dhe se të njëjtat nuk përmbajnë elemente kancerogjene, ngjyra të dëmshme, aromë, emulgatorë të ndaluar sipas regullave islame, e cila nënkupton sigurim shtesë në ruajtjen e shëndetit të njeriut.
Ky standard në botë kushton rreth 2.3 bilionë dollarë, ndërsa parashikohet se deri në vitin 2020 do të tejkalojë shumën e 6 biliardë në nivel botëror. Në Evropë tregu Hallall arrinë në 70 miliard dollarë, ndërsa në rajonin ballkanik ky treg arrin afër 2 miliardë dollarë. Sipas statistikave në vitin 2011 në Francë, gjatë muajit Ramazan shpenzimet për hallall prodhimet ishin mbi 400 milionë euro.