BALLKANI, Koronavirusi

Qeveria e Kosovës miraton Pakon Emergjente Fiskale

Qeveria në detyrë e Kosovës ka marrë vendim për t’i dalë në ndihmë me mjete financiare, institucioneve shtetërore e joshtetërore, bizneseve e qytetarëve të kategorive të ndryshme me rastin e përhapjes së koronavirusit COVID-19 dhe rënien ekonomike

Agim Sulaj   | 31.03.2020
Qeveria e Kosovës miraton Pakon Emergjente Fiskale

Prishtinë

Me kërkesë të Kryeministrit në detyrë të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në pajtim me Rregulloren e Punës së Qeverisë, është mbajtur mbledhja elektronike e Qeverisë, të hënën në mbrëmje, ku është diskutuar dhe miratuar vendimi për Pakon Emergjente Fiskale, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç njofton komunikata nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, kjo pako u propozua nga ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi dhe parasheh disa masa për t’i dalë në ndihmë kategorive të ndryshme sociale, punëtorëve e bizneseve me rastin e uljes së intensitetit të punës apo mbylljes së të tyre.

Kjo pako do të përfshijë pagesën e dyfishtë të vlerës së skemës sociale për të gjithë përfituesit e skemave sociale për muajin prill dhe maj, “masë kjo në vlerë deri në 7 milionë e 650 mijë euro, përfshirë pagesën e muajit mars”.

Të gjithë përfituesit e skemave sociale dhe pensionale që marrin pagesë mujore në vlerë më të ulët se 100 euro, do të marrin pagesë shtesë prej 30 eurove në muaj, për muajin prill, maj dhe qershor.

Vendimi i Qeverisë, parasheh mbështetje financiare për shoqëritë tregtare që janë në vështirësi financiare “si pasojë e rënies së veprimtarisë së tyre për shkak të situatës së emergjencës së shëndetit publik”, duke mbuluar shpenzimet e pagave mujore të punonjësve në vlerë prej 170 eurove për muajt prill dhe maj, masë kjo që do të kushtojë deri në 41 milion për Qeverinë.

Bizneset do të ndihmohen edhe me subvencionimin e qirasë deri në 50 për qind për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme për muajt prill dhe maj, gjë e cila do të kushtojë deri në 12 milionë euro.

Sa i përket mbështetjes financiare për ndërmarrjet, gjithashtu vendimi parasheh sigurimin e huadhënies pa interes për ndërmarrjet publike që kanë vështirësi, me kohë të kthimit deri në ditën e fundit të këtij viti, shuma totale e të cilave është ndarë të jetë 20 milionë euro. Po kështu mbështetje financiare do të ketë edhe për komunat që janë ndikuar në përballje me pandeminë, me një buxhet deri në 10 milionë euro.

Sa i përket punëtorëve, sigurimi shtesë mbi pagë në vlerë prej 300 eurove, do t’u jepet punëtorëve “në terren dhe që janë të ekspozuar drejtpërdrejt rrezikut të infektimit në punën e tyre (jo të gjithë stafit të institucionit); mjekëve, policëve, gardianëve të Shërbimit Korrektues, zjarrfikësve, ushtarëve, punëtorëve në karantinën e Qendrës së Studentëve, inspektorëve të Inspektoratit dhe atyre të Administratës Tatimore, doganierëve, inspektorëve të Tregut dhe të inspektorateve komunale dhe inspektorëve të Mjekësisë së Punës, për muajt prill dhe maj, në vlerë totale prej 15 milion euro.

Punëtorëve të dyqaneve ushqimore, furrave dhe farmacive për këto dy muaj do t’u jepet pagesë shtesë prej 100 eurove, ndërsa, punëtorët të cilët humbin vendin e tyre të punës për shkak të situatës emergjente, do të marrin pagesë mujore në vlerë prej 130 eurove për muajt prill, maj dhe qershor.

Vendimi i miratuar në Qeveri gjithashtu ka përfshirë edhe rritjen e buxhetit për grante dhe subvencione për Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për rritje të prodhimit bujqësor prej 5 milionë eurove. Po me këtë shumë do të rritet buxheti për grante dhe subvencione edhe në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Me nga 130 euro, sipas vendimit, do të mbështeten punëtorët e shoqërive tregtare ku kanë kontratë pune së paku 1 vjeçare për dy muajt pasues pas regjistrimit si dhe me po kaq para si asistencë mujore do të ndihmohen edhe qytetarët me kushte të rënda sociale, të lajmëruar si të papunë në institucione apo që nuk janë përfitues të asnjë të hyre mujore nga buxheti.

Vendimi i Qeverisë në detyrë të Kosovës autorizon Ministrinë e Financave dhe Transfereve që të miratojë kriteret, afatet, kushtet, mënyrën e zbatimit si dhe të gjitha specifikat tjera të nevojshme për zbatimin e tyre sipas parimit të menaxhimit të financave publike. Vendimi obligon gjithashtu të gjitha organizatat buxhetore/institucionet përkatëse për zbatimin e vendimit dhe të vendimeve që do të nxirren nga ministria për zbatimin e tij.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.