BALLKANI

Punëtorët e RTK-së sërish protestojnë për paga

Kjo është hera e dytë nga muaji nëntor që punëtorët e RTK-së dolën në protestë me disa nga parullat "Gazetar pa pagë = demokraci pa zë", "Punëtorët e RTK-së, jo viktima të krizës", "Kërkojmë dinjitet, jo mëshirë", "RTK nuk hesht edhe në errësirë"

Agim Sulaj  | 13.11.2025 - Përdıtësım : 13.11.2025
Punëtorët e RTK-së sërish protestojnë për paga Foto: Erkin Keçi / AA

Prishtinë

Punëtorët e Radio Televizionit shtetëror të Kosovës (RTK) kanë protestuar sërish pranë zyrave të tyre të punës, duke kërkuar nga Qeveria e Kosovës dhe Kuvendi alokimin e pagave për punonjësit e radios dhe televizionit shtetëror, raporton Anadolu.

Kjo është hera e dytë nga muaji nëntor që punëtorët e RTK-së dolën në protestë me disa nga parullat "Gazetar pa pagë = demokraci pa zë", "Punëtorët e RTK-së, jo viktima të krizës", "Kërkojmë dinjitet, jo mëshirë", "RTK nuk hesht edhe në errësirë".

Pagat e tyre nuk janë alokuar ende ngase për këtë, praktikisht duhet votim me shumicë të deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe deri më tani nuk ka unanimitet politik për ta bërë një gjë të tillë.

Gëzim Bimbashi nga Sindikata e Punëtorëve të RTK-së i ka bërë thirrje kryeministrit në detyrë Albin Kurti që të veprojë ngjashëm siç kishte bërë në gusht të këtij viti dhe t'i ekzekutojë pagat pavarësisht procedurave në Kuvend.

"Gjendja në RTK është përkeqësuar ndërsa institucionet vazhdojnë të heshtin. Mbi 700 familje të punonjësve të RTK-së po përballen çdo ditë me problem për mbijetesë. Presione nga bankat, detyrime për të paguar faturat e energjisë, ankth i përditshëm për të ardhmen. Kjo nuk është thjeshtë më krizë ekonomike, është krizë e identitetit", theksoi Bimbashi.

Gjatë protestës, Bimbashi paralajmëroi se nga e hëna do të futen në grevë, e cila do të manifestohet me 1 orë abstenim të punës nga të gjithë punëtorët, nga ora 11:00 deri në orën 12:00.


- Pagat e punëtorëve të RTK-së, pikë diskutimi në Kryesinë e Kuvendit

Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Xhemajl Rexha, tha se AGK-ja qëndron në përkrahje të plotë me të gjithë punonjësit e RTK-së.

"Është për keqardhje që jemi në mesin e muajit nëntor dhe pagat e 700 kolegëve të RTK-së ende nuk janë ekzekutuar. Ka qenë një krizë e paralajmëruar, e pritshme dhe e gjithë përgjegjësia për këtë krizë bie mbi qeverinë aktuale të Kosovës", tha Rexha.

Pagat e punëtorëve të RTK-së kanë qenë pikë diskutimi midis përfaqësuesve partiakë gjatë këtij muaji në Kryesinë e Kuvendit.

Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, ka deklaruar se ka bërë përpjekje që t'i bindë përfaqësuesit politikë që t'i votojnë disa urgjenca shtetërore, sikurse Buxheti i Shtetit 2026, mjetet financiare për RTK-në si dhe buxhetin për tre komuna, por, tha se partitë tjera nuk janë pajtuar të votojnë në Kuvend pa pasur një qeveri.

Edhe presidentja Vjosa Osmani ka thënë se do të bëjë përpjekje për miratimin e këtyre urgjencave.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın