Kosovë, lansohet programi për subvencionim të pajisjeve efiçiente për ngrohje
Kryeministri Kurti tha se këtë vit për herë të parë po investohet një shifër rekord prej 35 milionë eurove në programin e efiçiencës së energjisë për sektorin rezidencial dhe atë të biznesit

Prishtinë
Ministria e Ekonomisë së Kosovës ka lansuar programin për subvencionim të pajisjeve efiçiente për ngrohje në mbështetje të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, financuar nga Bashkimi Evropian (BE), raporton Anadolu.
Lansimi i programit u bë në Parkun e Teknologjisë "Tech Park Prishtina", në Bërnicë të Prishtinës, ku morën pjesë kryeministri Albin Kurti, ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, Alessandro Bianciardi nga Zyra e BE-së në Kosovë, përfaqësues të odave ekonomike të huaja në Kosovë, përfaqësues të bizneseve.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se këtë vit për herë të parë po investohet një shifër rekord prej 35 milionë eurove në programin e efiçiencës së energjisë për sektorin rezidencial dhe atë të biznesit. Ai tha se ky investim është mundësuar nga Komisioni Evropian (KE) në kuadër të pakos emergjente për energji prej 75 milionë eurove.
"Tanimë është e njohur për të gjithë ne se lufta në Ukrainë ka shkaktuar luhatje në tregun e energjisë. Çmimet e energjisë elektrike dhe të gazit natyror janë rritur dukshëm. Ndonëse Kosova burim kryesor e ka linjitin, lehtë të ekstraktueshëm, ne jemi ndikuar nga këto çmime veçanërisht gjatë sezonit të dimrit kur konsumi është më i lartë kryesisht për shkak të ngrohjes me energji elektrike. Rrjedhimisht, kemi qenë të detyruar të importojmë me çmime të larta", theksoi Kurti.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se Qeveria është kujdesur që burimet dhe kapacitetet e energjisë jo vetëm të ndërtohen por edhe të shfrytëzohen me efiçiencën më të lartë dhe me ndikim më të ulët ambiental.
Ajo theksoi se kjo ndihmë me subvencionimin e pajisjeve efiçiente për ngrohje për bizneset mikro, të vogla dhe të mesme do të ndihmojë në kursimin e energjisë, sidomos gjatë dimrit kur janë çmimet e larta dhe rritet konsumi.
"Gjatë takimi që kisha javën e kaluar, së bashku me ekipin dhe me odat e bizneseve, kishte një konfirmim se fokusi në komponentën e ngrohjes është me rëndësi, duke qenë se sipas tyre 40 për qind e energjisë që konsumohet nga bizneset, është pikërisht për ngrohje. Kjo do t'u ndihmojë bizneseve për të ulur faturat dhe konsumin, mirëpo do t'i ndihmojë edhe sistemit tonë elektro-energjetik", theksoi Rizvanolli.
Ministrja tha se kjo masë përfshin subvencionimin e pajisjeve efiçiente për ngrohje për pompa termike (me vlerë deri në 2 mijë euro), për kondicionerë ose klimë efiçiente (në vlerë deri në 1 mijë euro), kaldaja me biomasë përfshirë me dru, pelet dhe briket (në vlerë deri në 2 mijë euro) dhe stufa individuale me biomasë (me subvencionim në vlerë deri në 50 euro).
Alessandro Bianciardi nga Zyra e BE-së në Kosovë tha se masat e marra në sektorin e energjisë kanë treguar sukses në Kosovë me interesim të madh të qytetarëve për të përfituar nga subvencionimet.
Sipas tij, vetëm këtë vit më shumë se 200 mijë familje përfituan nga subvencionimet e shpallura nga Qeveria me mbështetje të BE-së, duke ndikuar në uljen e konsumit të energjisë elektrike.