Ekip
06 Maj 2020•Përditësim: 06 Maj 2020
Liderët e Bashkimit Evropian (BE) dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor u mblodhën sot në një video-konferencë për të diskutuar të ardhmen e rajonit dhe luftën kundër koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).
Samiti BE-Ballkani Perëndimor duhej të mbahej në Zagreb, por ai po zhvillohet përmes video-konferencës për shkak të pandemisë COVID-19.
Krerët e 27 shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të BE-së, zyrtarë të lartë dhe liderë nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Kosova, Bosnjë e Hercegovina, Serbia dhe Mali i Zi, do të shkëmbejnë mendime mbi "perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor".
Togfjalëshi është veçanërisht i rëndësishëm sepse BE shmang shprehjen e zgjerimit për shkak të mosmarrëveshjeve të ndryshme politike dhe interesave kombëtare në gjithë bllokun.
Megjithatë, marrëveshja për hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë është pa dyshim arritja më e madhe e presidencës kroate pas bllokimit në samitin e liderëve të BE-së në tetor të vitit të kaluar.
Liderët e BE-së gjithashtu do të inkurajojnë vendet e Ballkanit të vazhdojnë me agjendën e tyre të reformave duke ndjekur rrugën evropiane.
Lufta kundër COVID-19 do të jetë tema kryesore e diskutimit në samitin virtual. BE premtoi të ndihmojë rajonin me një paketë prej 3,3 miliardë eurosh.
Ambasadorët e BE-së kanë rënë dakord për një pako ndihme mikro-financiare prej 750 milionë eurosh për gjashtë vendet. Pas një aprovimi zyrtar nga institucionet e BE-së, ndihma financiare në formën e kredive do të ndihmojë rajonin të rinisë ekonomitë pas pandemisë së koronavirusit.
Banka Evropiane e Investimeve do të sigurojë një ndihmë shtesë prej 1,7 miliardë eurosh.
Pjesa tjetër prej 850 milionë eurosh do të transferohen si një grant për rimëkëmbjen ekonomike dhe sociale, si dhe mbështetje për sektorin shëndetësor.
Ambasadori i Kosovës në BE, Bernard Nikaj, para ngjarjes tha se shpreson që të arrithen udhëtime pa viza për qytetarët e vendit në BE.
Në një bisedë telefonike përpara video-konferencës, presidenti serb Aleksandar Vuçiç falënderoi për solidaritetin presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, duke shtuar se Serbia po vazhdon me procesin e reformave me qëllim anëtarësimin në BE.