Kurti: E ardhmja e Kosovës e orientuar fuqishëm drejt BE-së
“Jemi mirënjohës për mbështetjen ndërkombëtare gjatë gjithë këtij procesi, nga Bashkimi Evropian, shtetet individuale dhe organizatat ndërkombëtare, të cilat vazhdojnë të mbështesin progresin demokratik të Kosovës”, tha Kurti
Prishtinë
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje e cila i fitoi zgjedhjet e 28 dhjetorit, Albin Kurti, ka deklaruar se e ardhmja e Kosovës është e orientuar fuqishëm drejt Bashkimit Evropian (BE), transmeton Anadolu.
Kryeministri në detyrë dhe kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje në pozitën e kryeministrit, një ditë pas zgjedhjeve falënderoi qytetarët e Kosovës që votuan për edhe një mandat qeverisës për Lëvizjen Vetëvendosje.
“Jemi mirënjohës për mbështetjen ndërkombëtare gjatë gjithë këtij procesi, nga Bashkimi Evropian, shtetet individuale dhe organizatat ndërkombëtare, të cilat vazhdojnë të mbështesin progresin demokratik të Kosovës”, tha Kurti.
Ai falënderoi gjithashtu partitë simotra të Lëvizjes Vetëvendosje, duke theksuar se angazhohen për "ndërtimin e shoqërive ku dinjiteti dhe mirëqenia e qytetarëve janë në qendër”.
“E ardhmja e Kosovës është e begatë dhe e orientuar fuqishëm drejt Bashkimit Evropian”, shtoi Kurti.
Dje, Kosova mbajti zgjedhje të parakohshme parlamentare, pas krizës disamujore politike për të formuar një qeveri të re, ku në garë morën pjesë 24 subjekte politike, me 1.180 kandidatë për deputetë.
Sipas rezultateve paraprake të autoritetit zgjedhor, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) doli partia më e madhe duke siguruar 49,31 për qind të votave, e ndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 21,19 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 13,74 për qind dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me 5,74 për qind.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
