Furkan Abdula
19 Korrik 2022•Përditësim: 20 Korrik 2022
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka realizuar një adresim integral në konferencën ndërqeveritare në Bruksel, me të cilën u shënua hapja e negociatave aderuese me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në Bashkimin Evropian (BE), transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas njoftimit qeveritar, me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare në Bruksel, në të cilën mori pjesë delegacioni qeveritar i kryesuar nga kryeministri Kovaçevski, Maqedonia e Veriut hapi negociatat për anëtarësim të plotfuqishëm në BE.
Në njoftim theksohet se në këtë ngjarje të rëndësishme historike me të cilën "fillon kapitulli i ri për shtetin në rrugën drejt BE-së në gjuhën maqedonase" para përfaqësuesve të 27 vendeve anëtare u drejtua kryeministri Kovaçevski.
Më tej, theksohet se në seancën folën si kryesues ministri i Punëve të Jashtme i Çekisë, Jan Lipavský, si dhe përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrel dhe komisari për zgjerim, Olivér Várhelyi.
Kovaçevski në adresimin e tij, thuhet në njoftim, tha se ka nderin e veçantë që ka mundësinë të adresohet në gjuhën maqedonase. Ai theksoi se me këtë konferencë ndërqeveritare Maqedonia e Veriut filloi etapën e fundit të rrugës së saj të gjatë drejt anëtarësimit të plotfuqishme në BE.
“Dita e sotme është historike për ne. E shumë pritur. E meritueshme”, tha Kovaçevski, duke shtuar se për realizimin e këtij qëllimi strategjik kanë bërë shumë.
Sipas tij, zgjerimi padyshim është mes politikave më të suksesshme të Unionit, ndërsa, tha ai, në kontekstin e sotëm një Evropë e bashkuar dhe e fuqishme i nevojitet botës dhe se kjo nuk do të jetë e mundur pa integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Kovaçevski theksoi se Maqedonia e Veriut është një vend që i respekton dhe vlerëson fqinjët. Ai tha se nuk kanë kontest të hapur territorial me asnjë fqinj dhe se kjo tashmë është e rregulluar me kushtetutën e tyre dhe vazhdimisht e me vendosmëri i avancojnë marrëdhëniet për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim rajonal.
“Vazhdimisht punojmë në tejkalimin e sfidave dhe avancimin e marrëdhënieve me fqinjët përmes implementimit të Marrëveshjes së Prespës me Greqinë dhe Marrëveshjes për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Bullgarinë. Mbetemi sinqerisht të përkushtuar në zbatimin e tyre efikas, në vullnetin e mirë, dhe me kontribut drejt ndërtimit të mëtejshëm të mirëkuptimit, besimit dhe respektimit të ndërsjellë. Raport identik dhe konsistent presim edhe nga fqinjët dhe partnerët tanë. Në këtë kontekst, vendi im është tërësisht i gatshëm që t’i zbatojë të gjitha detyrimet e marra nga korniza negociuese duke i përfshirë të gjitha kapacitetet e saj njerëzore dhe institucionale”, shtoi Kovaçevski.
Kryeministri I Maqedonisë së Veriut tha se është krenar që gjuha maqedonase do të jetë gjuha në të cilën do të udhëhiqet procesi i negociatave për aderim, përfshirë edhe vet lidhjen e Marrëveshjes për aderimin e Maqedonisë së Veriut në BE.
“Me padurim e presim ditën kur me anëtarësimin e plotfuqishëm të Maqedonisë së Veriut në BE gjuha maqedonase do të bëhet një nga gjuhën zyrtare të BE-së, e barabartë me të gjitha 24 gjuhët tjera zyrtare të BE-së”, theksoi ai.
Kovaçevski theksoi se të gjitha institucionet relevante në Maqedoninë e Veriut janë tërësisht të gatshme që të kontribuojnë për zbatimin efikas dhe efektiv të procesit të skriningut dhe të vazhdojnë me harmonizimin e mëtejshëm të kornizës juridike me standardet e BE-së.
"Jemi të vetëdijshëm se kohëzgjatja e negociatave do të varet kryesisht nga zbatimi i reformave të nevojshme, si dhe nga aftësia e BE-së për të mbështetur dhe thelluar zhvillimin e vet, duke garantuar kapacitetin e saj për të integruar anëtarë të rinj. Në këtë kuptim, përmes punës intensive dhe të përkushtuar, Maqedonia e Veriut synon të jetë plotësisht e përgatitur për të marrë përsipër detyrimet e anëtarësimit në BE deri në fund të vitit 2030, në mënyrë që të bëhet anëtare e BE-së deri në fillim të periudhës së ardhshme buxhetore të BE-së", theksoi Kovaçevski.
“Që të jetë paqja e plotë dhe e përhershme dhe që të jetë kontinenti ynë i plotë dhe i bashkuar, duhet që ë jemi bashkë dhe të bashkuar. Sepse vetëm të bashkuar jemi të fuqishëm”, shtoi kryeministri I Maqedonisë së Veriut në adresimin e tij në konferencën ndërqeveritare në Bruksel.