Kosovë, mbahet panel diskutimi mbi ndikimin e luftës te fëmijët
Gjatë diskutimit, panelistët theksuan se fëmijët mbeten ndër viktimat më të prekura të konflikteve të armatosura, duke përjetuar trauma të thella psikologjike, humbje familjare, zhvendosje të detyruar dhe ndërprerje të arsimit
Prishtinë
Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH), Shoqata Ukrainase e Kosovës “Bridges of Friendship” dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) mbajtën panel diskutimi publik mbi ndikimin e luftës te fëmijët, me fokus në përvojat nga Kosova, Ukraina dhe Bosnjë e Hercegovina, raporton Anadolu.
Aktiviteti u zhvillua në Qendrën e Dokumentimit Kosovë, në Bibliotekën “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë, duke mbledhur përfaqësues të shoqërisë civile, gazetarë, studiues dhe qytetarë të interesuar.
Gjatë diskutimit, panelistët theksuan se fëmijët mbeten ndër viktimat më të prekura të konflikteve të armatosura, duke përjetuar trauma të thella psikologjike, humbje familjare, zhvendosje të detyruar dhe ndërprerje të arsimit.
Drejtori ekzekutiv i Fondit për të Drejtën Humanitare, Bekim Blakaj, tha se duhet krijim i një narracioni të saktë të bazuar në prova, në mënyrë që gjeneratat e reja ta dinë se çfarë ka ndodhur gjatë luftës në një vend.
“Pa dokumentimin e jetëve të humbura të fëmijëve apo vuajtjet e tyre, është e vështirë që edhe organet gjyqësore të hetojnë, ngrisin aktakuza dhe pastaj t’i vënë para gjykatave ata të cilët kanë kryer krime ndaj fëmijëve”, tha Blakaj.
U theksua rëndësia e dokumentimit të përvojave të tyre, jo vetëm për drejtësi dhe kujtesë kolektive, por edhe për ndërtimin e politikave mbështetëse afatgjata.
Përfaqësues nga Ukraina ndanë dëshmi mbi sfidat aktuale me të cilat përballen fëmijët në zonat e prekura nga lufta, ndërsa folësit nga Kosova dhe Bosnjë e Hercegovina reflektuan mbi pasojat afatgjata të konflikteve të viteve 90, duke theksuar se traumat e fëmijërisë vazhdojnë të ndikojnë edhe në moshë madhore.
Organizatorët nënvizuan se bashkëpunimi ndërmjet vendeve që kanë përjetuar luftë është thelbësor për shkëmbimin e përvojave dhe për forcimin e mekanizmave të mbrojtjes së fëmijëve në situata krize.
Paneli u mbyll me thirrjen për më shumë angazhim institucional dhe mediatik në adresimin e pasojave të luftës te fëmijët, si dhe për mbështetje të vazhdueshme psikologjike dhe sociale për të prekurit.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
