Agim Sulaj
29 Mars 2019•Përditësim: 30 Mars 2019
Më shumë përgjegjësi për krimet e luftës në Kosovë, është pritur prej institucioneve të drejtësisë vendore e ndërkombëtare, thonë përfaqësues të organizatave për të drejtat humanitare, raporton Anadolu Agency (AA).
Themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq në tubimin ku u prezantua raporti për monitorimin e gjykimeve që lidhen me krimet e luftës, u shpreh skeptike me gjithë zvarritjen e moszbardhjes së krimeve të luftës. Ajo i bëri thirrje politikës që në diskutimet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi të jetë prioritet diskutimi për zbardhjen e krimeve të luftës.
“Ajo që është më e habitshme nëse e lexoni këtë raport është se problemi më i madh sot është ndjekja penale e krimeve të luftës në Kosovë dhe arritja e drejtësisë për viktimat e krimeve të luftës. Mungesa e bashkëpunimit midis prokurorisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë. Në Kosovë po gjykohet një person i cili mund të jetë pjesë e krimit, krimit të madh në të cilin janë mbi 100 viktima në Krushë të Vogël. A mund të presim që të sjellim drejtësi vetëm përmes njërit autor të krimit për ta sqaruar deri në detaje këtë krim? Jo. Ky është margjinalizim i këtij krimi të madh, njërit prej krimeve më të rënda në Kosovë”, ka thënë Kandiq.
Ndërkaq, kryetari i Këshillit Prokurorial, Bahri Hyseni, thotë se drejtësia për krimet e luftës është vonuar, për shkakun e vendorëve dhe palës ndërkombëtare në Kosovë. “Qytetarëve, pavarësisht nacionalitetit që i takojnë, ata presin që një ditë ata të cilët kanë kryer krime, pa marrë parasysh kush, pa marrë parasysh funksionin që e ka, përkatësinë që e ka, presin drejtësi. Dhe, natyrisht të gjithë pajtohemi që në këtë drejtim të gjithë jemi vonuar. Jo vetëm për fajin e institucioneve të Kosovës, por jemi vonuar në përgjithësi edhe ne edhe ata që na kanë mbështetë. Sepse, ju e dini që krimet e luftës kanë qenë ekskluzivisht për një kohë të gjatë e përfaqësuesve ndërkombëtarë”, thotë Hyseni.
Ai fajëson mekanizmat ndërkombëtare për të cilat thotë se kanë hezituar të japin ndihmë për Kosovën.
Zëvendës udhëheqësi i misionit, nga ambasada britanike, Tom Adams, tha se nuk është e lehtë për të diskutuar mbi krimet e luftës dhe se të gjitha viktimat kërkojnë drejtësi. Sipas tij, institucionet e Kosovës duhet të kenë një plan strategjik.
“Ne të gjithë e dimë që ka njerëz që u janë vrarë familjarët, përfshirë 12.000 civilë për të cilët kërkohet drejtësi. Të gjithë e dimë që ende ka mbi 1.600 persona të zhdukur, familjet dhe të afërmit e të cilëve nuk e dinë fatin e tyre. Ne e dimë se keni mijëra viktima të dhunës seksuale që meritojnë drejtësi”, tha Adams.
Sipas tij, sundimi i ligjit po përballet me disa sfida dhe nuk ka qenë në nivelin e duhur, mirëpo është forcuar edhe më shumë me prokurorë që po punojnë për zbardhjen e krimeve të luftës.
Që nga paslufta deri më sot, siç tregon drejtori i Fondit për të Drejtën Humanitare i Kosovës, Bekim Blakaj, janë vetëm 50 raste me mbi 100 të akuzuar për krime lufte. Ndërsa në vitin 2018 për këtë çështje ka pasur vetëm 2 aktakuza. Kodi i ri i Procedurës Penale për këtë çështje u pa si zgjidhje që do të ndihmojë. Altin Ademi nga Ministria e Drejtësisë tha se me këtë kod pritet të rritet efikasiteti për krimet e luftës. Ai po ashtu bëri të ditur se brenda ministrisë kanë themeluar një departament për t’u marrë me krimet e luftës.