Fatjon Cuka
29 Mars 2019•Përditësim: 29 Mars 2019
Shqipëria me ceremoni dhe aktivitete të ndryshme po shënon 10-vjetorin e anëtarësimit në NATO, ndërsa në Tiranë kanë mbërritur zyrtarë të lartë të vendeve anëtare të Aleancës, raporton Anadolu Agency (AA).
Konferenca me temë “Shqipëria 10 vjet në NATO-Siguri e shtuar për rajonin”, e organizuar nën kujdesin e Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë ka mbledhur së bashku ministra të vendeve anëtare të NATO-s, zyrtarë të lartë ushtarakë dhe diplomatë të vendeve të ndryshme.
Në konferencë ishte i pranishëm edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Turqisë, Gjeneral Yaşar Güler, si dhe ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yöruk.
Gjeneral Yaşar Güler, gjatë qëndrimit në Shqipëri, është takuar me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, dhe zyrtarë të tjerë të Shqipërisë.
Gjatë konferencës së sotme ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Olta Xhaçka dhe homologia e saj e Maqedonisë së Veriut, Radmilla Shekerinska, mbajtën fjalë përshëndetëse, duke u fokusuar në zhvillimet në rajon, dhe kontributin e dy vendeve për sigurinë në rajon dhe më gjerë.
Ministrja Xhaçka tha se gjatë këtyre 10 viteve Shqipëria e ndihmuar edhe nga statusi i saj si vend anëtar i NATO-s e ka konsoliduar rolin e saj si një shtyllë stabiliteti në rajon.
"NATO është tashmë jo vetëm aleanca ushtarake më e suksesshme e të gjithë kohërave, por është edhe aleanca më jetëgjatë që ka njohur historia. Kemi një panoramë strategjike thellësisht të transformuar krahasuar me 70 vjet më parë. Ballkani Perëndimor për shkak të pozitës së tij gjeografike, por edhe për shkak të trashëgimisë së historisë është hapësira ku pikëtakohen sfida të reja. Rajoni jonë është si të thuash në syrin e stuhisë. Me anëtarësimin e Malit të Zi dhe me zgjidhjen e çështjes së emrit mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë dhe hapjes së rrugës për fqinjin tonë lindor, për t’u anëtarësuar në NATO, sigurisht që të gjithë sot ndihemi më të sigurt", tha Xhaçka.

Vendimi për të ndërtuar në Shqipëri, në Kuçovë, bazën e parë ajrore në rajon nga NATO, sipas ministres Xhaçka është një sinjal i fortë i vendosmërisë së Aleancës për të qëndruar në rajon dhe është sipas saj një mesazh strategjik. Ajo tha se është momenti që Aleanca të intensifikojë përpjekjet e saj për të stabilizuar rajonin.
"Republika e Maqedonisë së Veriut, për ne nuk është thjesht një vend fqinj, për ne është një vend mik dhe marrëdhëniet tona udhëhiqen përmes parimeve dhe vlerave më të mira, që na bashkojnë si dy vende që i përkasin Evropës", tha ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë.
Ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut, Radmilla Shekerinska, gjatë fjalës së saj tha se stabiliteti dhe siguria e Ballkanit është axhendë euroatlantike.
"Patëm një periudhë mjaft efikase sa i takon bisedimeve rreth anëtarësimit dhe përgatitjes. Stabiliteti dhe siguria e Ballkanit është axhendë euroatlantike dhe ky është një mesazh i qartë që të gjithë ne në ketë rajon ndajmë. Nuk mund të investojmë për sigurinë euroatlantike nëse nuk jemi të interesuar të investojmë për sigurinë tonë rajonale. Anëtarësimi në NATO na hap perspektivë të re, por vjen me përgjegjësi të reja dhe jemi të përgatitur të arrijmë rezultate në raport me to. Qeveria jonë ka vendosur të rrisë buxhetin e mbrojtjes çdo vit. Kemi kontribuar në misione të NATO-s. Si anëtar të ardhshëm të NATO-s besojmë se ky kontribut mund jetë më domethënës", theksoi Shekerinska.
Shekerinska tha se ajo çfarë kanë mësuar nga përvoja shqiptare 10 vjet më pas është që NATO ndikon jo vetëm në dinamikat politike, por gjithashtu sipas saj edhe në dinamikat në ekonomi në vendet e rajonit.
"Prej një viti e gjysmë Qeveria ia ka arritur me sukses të kthejë vendin në rrugëtimin euroatlantik, që do të thotë reforma serioze. Mbetemi të gatshëm të vijojmë të punojmë ngushtë me aleatët tanë duke ndarë vlera thelbësore të përbashkëta, për demokracinë, të drejtat e njeriut dhe shtetin e së drejtës. Duke ndarë dhe zhvilluar këto vlera ne do të ndajmë përgjegjësitë, sigurinë, po kështu do ta shtrijmë zonën e sigurisë në të gjithë rajonin. NATO ka të bëjë me solidaritetin dhe të gjithë e kemi manifestuar këtë solidaritet në të shkuarën", tha Shekerinska.
Data zyrtare e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO është 1 prill 2009. Shqipëria mori për të parën herë pjesë si anëtare me të drejta të plota e NATO-s në Samitin e Aleancës që u mbajt në Strasbourg/Kehl më 4 prill 2009, ndërkohë që më 7 prill 2009, në selinë e Aleancës në Bruksel, u zhvillua ceremonia zyrtare e ngritjes së flamujve të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO, si vende të reja anëtare.