Agim Sulaj
20 Shtator 2023•Përditësim: 21 Shtator 2023
Policia e Kosovës, me urdhër të Prokurorisë Speciale, ka arrestuar sot tre persona nga nacionaliteti serb të cilët dyshohen për “krime të luftës kundër popullatës civile” gjatë luftës së fundit në Kosovë, raporton Anadolu.
Arrestimin e të dyshuarve e ka konfirmuar për Anadolu zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e Mitrovicës, Veton Elshani, i cili tha se dy prej tre të arrestuarve janë prej komunave në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, Mitrovica e Veriut dhe Zveçani.
Siç njofton Prokuroria Speciale, tre të arrestuarit akuzohen për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”, të penalizuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
“Me vendim të prokurorit të Prokurorisë Speciale, tre të arrestuarve u është caktuar masa e ndalimit deri në 48 orë”, thuhet në njoftim.
Tutje, prokuroria ka bërë të ditur se veprimet e tyre janë të sanksionuara sipas Kodit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë të cilat penalizohen me Kodin Penal aktual të Republikës së Kosovës, si dhe në përputhje me ligjet ndërkombëtare në fuqi në kohën e konfliktit të armatosur në Kosovë.
Lidhur me këto arrestime ka reaguar partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, si dhe Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.
Sipas tyre, arrestimet janë të motivuara politikisht.
“Është e qartë se (kryeministri Albin) Kurti po vazhdon me planin e tij për ta përdorur dhunën dhe forcën për t’i zgjidhur çështjet e hapura politike dhe për t'i trajtuar serbët në Kosovë si pengje në procesin e negociatave”, është thënë në reagimin e Listës Serbe.
Ndërkaq, Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka thënë se këto arrestime janë bërë “me qëllim të shkaktimit të tensioneve dhe krizave të reja në terren”.