Agim Sulaj
23 Dhjetor 2022•Përditësim: 23 Dhjetor 2022
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, në një konferencë para Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, tha se rruga e Kosovës drejt anëtarësimi në Bashkimin Evropian (BE) do të jetë e gjatë dhe me sfida, por e domosdoshme, raporton Anadolu Agency (AA).
Ajo duke folur para anëtarëve të komisionit për sfidat dhe sukseset e vitit 2022, Gërvalla tha se pala kosovare është e vetëdijshme që rruga deri tek anëtarësimi i plotë i Kosovës në BE është një proces plot sfida, ku vendin e pret një proces i cili në secilin prej hapave bartë sfida të mëdha.
“Do të jetë një rrugë e gjatë dhe plot sfida, por e domosdoshme nëse Kosova nuk dëshiron të devijojë nga orientimi i saj pro-evropian dhe nga ajo që pavarësisht kushdo që ka qeverisur në Kosovë ka qenë i qartë për orientimin evropian”, theksoi Gërvalla.
Tutje, ministrja Gërvalla është shprehur optimiste se Kosova deri në fund të vitit 2023 do të anëtarësohet në programin e Partneritetit për Paqe të Misionit të NATO-s, gjë të cilën, sipas saj, Kosovës ia kanë rekomanduar partnerët ndërkombëtarë.
“Jam shumë optimiste për vitin 2023 për Partneritetin për Paqe pa dashur të them më shumë fjalë. Ne do të punojmë me kaq përkushtim edhe në këtë sferë sa kemi punuar edhe në anëtarësimet e tjera dhe shpresojmë se fundi i vitit 2023 do ta gjejë Kosovën anëtare të Partneritetit për Paqe”, theksoi Gërvalla.
Sa i përket njohjeve të reja të pavarësisë së Kosovës, ministrja kosovare tha se “nuk kemi asnjë njohje të re në tavolinë, por ka lëvizje”.
Gërvalla theksoi se gjatë vitit 2022, puna e MPJD-së është fokusuar në pesë vendet anëtare të BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën, ngase sfidat kryesore në anëtarësimet e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, siç tha ajo, vijnë nga mosnjohja e këtyre vendeve.