Bota, BALLKANI

COVID-19, shkon në 7 numri i të vdekurve në Kosovë

Kosova ka raportuar për një rast të ri me koronavirus i cili ka përfunduar me vdekje, ndërsa deri tani numri i përgjithshëm i të infektuarve është 227, ndër të cilët 38 janë shëruar dhe 7 kanë vdekur

Agim Sulaj  | 09.04.2020 - Përdıtësım : 10.04.2020
COVID-19, shkon në 7 numri i të vdekurve në Kosovë

Prishtinë

Klinika Infektive e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) njoftoi se në Njësinë e Kujdesit Intensiv të kësaj klinike, ka vdekur një pacient i infektuar me koronavirusin e ri (COVID-19), duke e çuar në 7 numrin e përgjithshëm të të infektuarve që kanë përfunduar me vdekje, transmeton Anadolu Agency (AA).

Klinika Infektive bëri të ditur se i ndjeri është i gjinisë mashkullore nga Komuna e Gjilanit i moshës mbi 70 vjeç.

“Pacienti është pranuar në Klinikën Infektive më 31 mars në gjendje të rëndë dhe kishte edhe sëmundje të tjera shoqëruese. Kjo është vdekja e shtatë nga COVID-19 në Kosovë”, njoftoi klinika.

Ndërkohë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) ka bërë të ditur se edhe tri raste të reja janë diagnostikuar me koronavirus, me çka numri i përgjithshëm i të infektuarve rritet në 227.

IKSHPK gjithashtu ka njoftuar edhe për një të shëruar nga virusi, duke e çuar bilancin e të shëruarve në 38.

“Rastet pozitive janë raste kontakti, 1 rast me vendbanim nga Suhareka, 1 rast me vendbanim nga Hajvalia-Prishtinë, 1 rast me vendbanim nga Leshak- Leposaviq”, njofton IKSHPK.

Masa të reja parandaluese në tri komuna

Sot pasdite, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se në koordinim me komunat të cilat janë tashmë të karantiuara, me qëllim frenimin e përhapjes së koronavirusit, nga nesër në Komunën e Malishevës do të ndalohet qarkullimi nga ora 14:00 deri në orën 06:00, ndërsa Komunën veriore të Mitrovicës dhe në atë të Zveçanit, qarkullimi është ndaluar nga ora 12:00 deri në orën 06:00.

Gjithashtu, në ditët në vijim, sipas Vitisë, varësisht nga situata epidemiologjike në komunat e tjera dhe në koordinim me to, do të vendosen masa shtesë në mënyrë që të parandalohet përhapja e virusit.

Pas shfaqjes së rasteve të para më 13 mars, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim për vendosjen e “orës policore” fillimisht në dy orare brenda 24 orëve, e më pas vetëm nga ora 17:00 deri në orën 06:00.

Për një vendim të tillë, presidenti i vendit Hashim Thaçi kishte kërkuar mendim nga Gjykata Kushtetuese, e cila më pas kishte vendosur se “ai nuk është në përputhshmëri me disa nene të kushtetutës”. Megjithatë, vendimi ka përcaktuar datën 13 prill 2020 si datë e hyrjes në fuqi të këtij aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın