Politikë, Bota, arsim

Institucionet arsimore austriake regjistruan 186 incidente diskriminimi vitin e kaluar

Rreth 74 për qind e incidenteve ishin për shkak të përkatësisë etnike, sipas raportit nga Nisma për një Sistem Arsimor Jo-Diskriminues (IDB)

Aşkın Kıyağan   | 30.06.2021
Institucionet arsimore austriake regjistruan 186 incidente diskriminimi vitin e kaluar

Vjenë

Pavarësisht nga mos prezenca fizike vitin e kaluar për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), 186 incidente diskriminimi ndodhën në institucionet arsimore të Austrisë, sipas një raporti të publikuar të martën, raporton Anadolu Agency (AA).

Raporti vjetor mbi diskriminimin në sistemin arsimor austriak u publikua nga Nisma për një Sistem Arsimor Jo-Diskriminues (IDB), e cila ka punuar me nxënësit dhe arsimtarët të cilët janë diskriminuar në sistemin arsimor për shkak të fesë, gjinisë, kulturës, përkatësia etnike dhe arsye të ngjashme për pesë vjet.

Pati një rënie 54 për qind të numrit të incidenteve krahasuar me 403 incidente të raportuara vitin e kaluar, sipas raportit, ku theksohet se ulja lidhej drejtpërdrejt me masat e COVID-19.

Raporti rikujton se arsimi me prezencë fizike u ndalua në universitete që nga marsi 2020, ndërsa nxënësit në arsimin fillor ishin larguar nga klasat për rreth 10 javë. Kjo situatë rriti barrën për prindërit dhe ata duhej ta vinin çështjen e diskriminimit në plan të dytë ndërsa përpiqeshin të përballonin këto sfida.

Përkatësia etnike ishte arsyeja kryesore nga 74 për qind e incidenteve të raportuara, zbuloi raporti, e pasuar nga Islamofobia me 15 për qind dhe arsye të tjera me 11 për qind.

Theksohet se 63 për qind e atyre që kryen incidente diskriminimi ishin arsimtarët, 20 për qind nxënësit dhe 7 për qind administratorët e shkollës, ndërsa diskriminimi institucional ishte rreth 10 për qind.

Vjena raporton shumicën e rasteve

Rreth 94 për qind e personave të tretë që ishin dëshmitarë të diskriminimit nuk treguan guximin për të mbështetur viktimën, thotë raporti, duke shtuar se vetëm 1 për qind e diskriminuesve u ndëshkuan për krimet e tyre, ndërsa pjesa tjetër mbeti e pa ndëshkuar.

Shumica e viktimave u përmbajtën nga shkëmbimi i informacionit mbi vendndodhjen e incidentit. Kryeqyteti Vjenë renditet i pari për sa i përket numrit të incidenteve që ndodhën, thuhet më tej.

Raporti zbuloi se nxënësit e shkollës fillore ishin grupi më i viktimizuar, me 91 për qind dhe theksohet se kjo normë ishte 9 për qind në grupin e përbërë nga instruktorë, studentë të universitetit dhe praktikantë.

Duke ofruar këshilla se si të shpëtojnë nga diskriminimi në sistemin arsimor, raporti theksoi se çështjes nuk i kushtohet kujdesi i duhur dhe nxiti autoritetet të punojnë në edukimin e njerëzve në këtë drejtim.

Më tej theksohet se duhet të formohen struktura të pavarura ku studentët mund të përcjellin problemet e tyre pa ndonjë shqetësim dhe theksoi rëndësinë e rritjes së numrit të individëve me prejardhje të ndryshme etnike dhe fetare midis mësuesve dhe administratorëve.

Raporti gjithashtu bëri thirrje për edukimin e njerëzve, duke filluar nga shkolla fillore, për bashkëjetesën dhe multikulturalizmin dhe shtoi se arsimi mbi anti-racizmin dhe anti-diskriminimin për instruktorët duhet të jetë i detyrueshëm sesa vullnetar.

Sonia Zaafrani, kreu i IDB-së, në një deklaratë në lidhje me raportin tha se iniciativa ka punuar vullnetarisht për pesë vjet dhe se në këtë periudhë kohore u regjistruan 1.096 incidente.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın