BALLKANI

Ballkani nën ndikimin e valës së nxehtë, temperaturat mbi 40 gradë celsius

- Objektivat e fotoreporterëve të Anadolus kanë regjistruar "momentet" e valës së nxehtë nëpër kryeqytetet e vendeve të rajonit.

Dzihat Aliju  | 04.07.2025 - Përdıtësım : 04.07.2025
Ballkani nën ndikimin e valës së nxehtë, temperaturat mbi 40 gradë celsius Foto: Erkin Keçi / AA

Shkup

SHKUP (AA) - Rajoni i Ballkanit ditëve të fundit është nën ndikimin e valës së nxehtë ndërkaq janë regjistruar temperatura mbi 40 gradë Celsius, raporton Anadolu.

Objektivat e fotoreporterëve të Agjencisë Anadolu kanë regjistruar "momentet" e valës së nxehtë nëpër kryeqytetet e vendeve të rajonit.

Si qytetarët ashtu edhe turistët që kanë ardhur ta vizitojnë rajonin mundohen gjatë ditës të mbrohen nga rrezet e forta të diellit, ndërkaq autoritetet kanë paralajmëruar lëvizje të kufizuar gjatë ditës.


- Maqedoni e Veriut

Departamenti Hidrometeorologjik i Maqedonisë së Veriut (UHMR) ka paralajmëruar se në ditët në vijim temperaturat në mbarë vendin do të arrijnë nivele rekorde.

"Deri të martën, moti do të jetë shumë i nxehtë me temperatura ditore kudo mbi 30 gradë Celsius, dhe në disa vende mbi 40 gradë Celsius. Të dielën, në pasdite dhe në mbrëmje, do të ketë kushte për vranësira lokale të paqëndrueshme me shira të rrëmbyeshëm dhe bubullima. Të mërkurën do të fryjë erë e fortë veriore, e cila do të shkaktojë rënie të temperaturave ditore", thuhet nga UHMR.

Për shkak të valës së nxehtit është vërejtur rënie e rrjedhës së lumit Vardar që kalon edhe përmes Shkupit, kryeqytetit të Maqedonisë së Veriut.

Ndërmarrja Publike e Ujësjellësit dhe Kanalizime e qytetit të Shkupit disa herë ka apeluar qytetarët për përdorim racional të ujit për shkak të thatësirave.


- Shqipëri

Sipas Institutit të Gjeoshkencave të Shqipërisë, sot nuk priten reshje në mbarë vendin.

Temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit për ditën e sotme pritet të arrijnë si në vijim:

"Në bregdet: 21/32 gradë Celsius, në vendet e ulëta: 20/37 gradë Celsius, në vendet malore: 15/34 gradë Celsius".

Instituti gjithashtu njofton se në mbarë vendin, pritet nivel "I lartë" i rrezikut për zjarre në pyje pothuajse në të gjitha qarqet.


- Kosovë

Edhe Kosova është ndër vendet e rajonit që është ndikuar nga temperaturat e larta. Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se gjatë ditës së sotme, moti do të jetë me diell dhe vranësira të shpërndara.

"Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 12 dhe 18 gradë Celsius ndërsa maksimalet e ditës nga 32 deri në 37 gradë Celsius", njoftoi Instituti duke shtuar se në vend do të fryjë erë e lehtë nga veriperëndimi.

Instituti gjithashtu apelon për kujdes të shtuar ndaj rrezeve të diellit, veçanërisht për fëmijët, të moshuarit dhe personat me ndjeshmëri ndaj temperaturave të larta.

Në Kosovë, mungesa e ujit mbylli një pishinë të hapur në Prishtinë, e cila përdorej nga njerëzit për t'u freskuar në vapën e verës. Pishina e Gërmisë në periferi të qytetit u ndërtua në fund të viteve 1980 si një destinacion rekreativ. Në këtë kohë vitin e kaluar, pishina kishte midis 4.000 dhe 5.000 vizitorë çdo ditë.

Parku i Gërmisë, i njohur për bukurinë natyrore dhe rekreacionin e tij, ndodhet midis kodrave dhe maleve që ofrojnë burimet natyrore të ujit të pishinës. Por këtë vit, stafi i pishinës nuk mundi të siguronte 20 mijë metra kub ujë të nevojshëm.


- BeH, Serbi, Mali i Zi

Vala e të nxehtit që ka përfshirë Evropën dhe Ballkanin ka shkaktuar temperatura të larta edhe në kryeqytetin e Bosnjës e Hercegovinës, Sarajevë.

Instrumentet nga Instituti Federal Hidrometeorologjik matën temperatura mbi 36 gradë Celsius në Sarajevë Qytetarët dhe turistët po përdorin gjithnjë e më shumë çadra për t'u mbrojtur nga dielli.

Ndërkaq në Serbi, Instituti shtetëror meteorologjik ka paralajmëruar "thatësira ekstreme" ndërsa nivelet e ujit në lumenj dhe liqene kanë rënë.

Vendbanimet në të gjithë Serbinë përballen gjithashtu me kufizime në ujin e pijshëm.

Vala e temperaturave të larta ndihet veçanërisht në kryeqytetin e Malit të Zi, Podgoricë. Kryeqyteti është pothuajse bosh dhe ata që e gjejnë veten në rrugë kërkojnë freski në shatërvanët e qytetit.

Në "Sheshin e Pavarësisë", i cili normalisht është mjaft i mbushur me njerëz në mesditë, vihet re një numër më i vogël njerëzish.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.