Mickoski: Mendojmë për vendosjen e taksave shtesë për personat e pamartuar
- "Në katër vitet e fundit kemi humbur më shumë se 33 mijë banorë, sikur të ishte zhdukur një qytet sa Kavadari apo Kërçova. Norma e natalitetit ka rënë nga 12,5 për qind në vitin 2010 në vetëm 8,8 për qind në vitin 2024", tha Mickoski

Shkup
SHKUP (AA) - Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, duke përmendur rënien e natalitetit në vend, ka deklaruar se qeveria e tij po mendon vendosjen e taksave shtesë për të pamartuarit dhe të pamartuarat, transmeton Anadolu.
Në një aktivitet të qeverisë me temën “Trendet demografike, sfidat dhe zgjidhjet e mundshme - Zhvillimi i dokumenteve strategjike për rezistencë demografike”, kryeministri Mickoski tha se është koha për një shtet ku më shumë të rinj të martohen dhe të lindin më shumë fëmijë.
Mickoski theksoi se ky nuk është vetëm problem i Maqedonisë së Veriut, por është një sfidë e gjithë Evropës, madje edhe më gjerë.
"Të ndërtojmë institucione që nuk e shpenzojnë rininë e të tjerëve, por e kultivojnë atë. Të ndërtojmë një shtet ku shpresa është më e rëndësishme se pasaporta. E dimë se nuk ka zgjidhje magjike, por ka një luftë të qëllimshme, të vazhdueshme, shtetformuese. Dhe ne e kemi filluar. Çdo masë, çdo investim, çdo politikë që sjellim është me qëllim të rikthejmë besimin. Dhe këtu seriozisht mendojmë edhe për taksa shtesë për të pamartuarit dhe të pamartuarat", tha Mickoski.
Ai njoftoi se në vitin 2024 në Maqedoninë e Veriut lindën 16.061 fëmijë, ndërsa vdiqën 20.201 persona. Kjo, theksoi ai, është një rënie natyrore prej 4.140 personash vetëm në një vit.
"Në katër vitet e fundit kemi humbur më shumë se 33 mijë banorë, sikur të ishte zhdukur një qytet sa Kavadari apo Kërçova. Norma e natalitetit ka rënë nga 12,5 për qind në vitin 2010 në vetëm 8,8 për qind në vitin 2024", tha ai.
Ai tha se në shumë komuna dhe fshatra të vendit tashmë nuk ka as klasa të para dhe gjithnjë e më shumë njerëz jetojnë vetëm.
Sipas tij, lufta e qeverisë së tij është ta bëjnë “jetën më me vlerë, mëmësinë një bekim, jo një barrë dhe t’u japim të rinjve arsye për të qëndruar në vend”.
“Është koha për ardhmërinë. Është koha për një shtet ku do të lindin më shumë fëmijë. Ky është imperativi ynë kryesor, më shumë të rinj të martohen dhe të lindin më shumë fëmijë, ndërsa ata që janë shpërngulur të kthehen. Sepse vetëm kështu do të jetojmë me më shumë zemër”, tha ai.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.