BALLKANI

“Ballkani Perëndimor duhet të jetë pjesë e BE-së”

Juratovic: I gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor në aspektin gjeopolitik është oborri i brendshëm i BE-së dhe si i tillë ne gjykojmë që duhet të jetë pjesë e unionit

Saimir Alija   | 12.06.2019
“Ballkani Perëndimor duhet të jetë pjesë e BE-së” ( Olsi Shehu - Anadolu Agency )

Tiranë

Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor duhet të jenë pjesë e Bashkimit Evropian (BE), u shpreh në Tiranë kryesuesi delegacionit gjerman të Grupit Parlamentar për Bashkëpunimin Gjermani-Evropë Juglindore, Josip Juratoviç, raporton Anadolu Agency (AA).

Juratoviç, në një konferencë për mediat, tha se kanë parë të gjithë ecurinë e reformave të iniciuara dhe se sa e përgatitur është Shqipëria në kuadër të procesit të integrimit.

“Dua të theksoj që nisja e negociatave nuk nënkupton përfundimin e procesit të integrimit, por thjesht dhe vetëm fillimin e këtij procesi për të demokratizuar shoqërinë, në mënyrë që Shqipëria të shndërrohet në një vend të aftë për t’u bërë anëtar i BE-së”, tha ai.

Sipas Juratoviç, Shqipëria dhe i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor në aspektin gjeopolitik janë oborri i brendshëm i BE-së dhe “si i tillë ne gjykojmë që duhet të jetë pjesë e unionit”.

“Është i domosdoshëm që bashkëpunimi parlamentar edhe në nivel komisionesh me BE-në, por edhe përmes vendeve të rajonit të funksionojë në mënyrë më të mirë të mundshme. Për mua dhe të gjithë kolegët e mi të pranishëm, demokracia është një komunitet vlerash dhe demokratizim i parlamenteve dhe partive politike”, deklaroi Juratoviç.

Ai shtoi se marrëdhëniet midis parlamenteve në sferën politike mes Gjermanisë, Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit për ta si deputetë janë mjaft të rëndësishme.

Duke folur për zhvillimet politike në Shqipëri, deputeti i Bundestagut Gjerman, Juratoviç, tha se është e rëndësishme të zbatohet Kushtetuta.

“Kushtetuta është baza e çdo strukture shoqërore. Nëse Kushtetuta parasheh që duhet të zhvillohen (zgjedhjet) në një moment kohor, atëherë duhet të zhvillohen në këtë moment”, shtoi Juratoviç.

Delegacioni i deputetëve të Bundestagut Gjerman përbëhej nga Josip Juratoviç, Renata Alt dhe Hansjörg Müller, ndërsa realizuan takime me kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi dhe përfaqësues të partive politike.




Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın