Admir Fazlagikj
07 Tetor 2017•Përditësim: 07 Tetor 2017
SHKUP/TIRANË/PRISHTINË (AA) - Një valë e ftohtë me reshje shiu që rezultoi me ulje të temperaturave me mbi 15 gradë celsius, solli borën e parë në malet e Maqedonisë, ndërsa bora e parë ka përfshirë edhe disa zona në veri dhe verilindje të Shqipërisë. Reshjet e borës kanë përfshirë edhe disa qytete në Kosovë, raporton Anadolu Agency (AA).
Mëngjesin e sotëm borë është regjistruar në Mavrovë, por disa centimetra borë ka edhe në Kodër të Diellit.
Nga Enti Hidrometeorologjik (EHM), njoftojnë se moti në Maqedoni do të jetë i vrenjtur dhe i ftohtë me reshje të kohëpaskohshme të shiut, ku në disa vende do të jenë më të rrëmbyeshme, me mbi 20 litra në metër katror, kryesisht në pjesët perëndimore.
Në malet me lartësi mbidetare mbi 1500 metra do të ketë borë.
Nga e diela vijon një periudhë e motit të qëndrueshëm dhe të thatë me një rritje graduale të temperaturave.
Ndërkohë bora e parë ka rënë edhe në Shqipëri, në zonat e Kukësit, Dibrës dhe Pukës.
Reshjet dendura të shiut kanë shkaktuar probleme me qarkullim e automjeteve në disa akse kombëtare rrugore në Shqipëri, sidomos në "Rrugën e Kombit".
Gjithashtu dhe në Kosovë kishtereshje bore, me intensitet të ulët nëpër qytete, kurse më shumë në vendet rurale dhe malore.