Fatjon Cuka
15 Dhjetor 2016•Përditësim: 16 Dhjetor 2016
TIRANË (AA) - Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve kanë organizuar sot në Tiranë një konferencë për trajtimin e grave të privuara nga liria, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjatë fjalës së tij në konferencë, zëvendëskryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Robert Wilton, u shpreh se është përgjegjësia e shtetit të mbrojë të drejtat e personave në konflikt me ligjin.
"Prezenca e OSBE-së është përfshirë në mënyrë aktive për mbrojtjen e të drejtave të personave të privuar nga liria, me vëmendje të veçantë për gratë. Ne kemi mbështetur përdorimin e dënimeve alternative, sidomos për të miturit dhe gratë. Kur gratë privohen nga liria, ato humbasin statusin shoqëror, marrëdhëniet e tyre familjare cenohen dhe nuk mund të përmbushin përgjegjësitë e tyre prindërore. Shumë nga gratë e dënuara kanë qenë viktima të abuzimit fizik dhe psikologjik gjatë fëmijërisë, disa kanë krijuar varësi ndaj drogës dhe të tjerave u ka munguar vazhdimisht mbështetja", u shpreh Wilton.
Sipas tij, duhet të trajtohen problemet themelore shoqërore dhe ekonomike që i çojnë gratë drejt kryerjes së krimeve.
Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve në Shqipëri, Miklovan Kopani, u shpreh se respektimi të drejtave të grave të dënuara nuk mund të shikohet i ndarë nga respektimi i drejtave të njeriut.
"Kjo konference vjen në një fazë të vitit që na ndihmon të hedhim një vështrim retrospektiv për liritë dhe të drejtat themelore të grave të dënuara dhe të bëjmë një analizë se çfarë kemi arritur dhe çfarë kemi përpara për përmirësim", ka theksuar Kopani.
Pjesë e kësaj konferencë ishin edhe përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile.