Fatjon Cuka
05 prill 2018•Përditësim: 06 prill 2018
VLORË (AA) - Partitë opozitare në Shqipëri në disa qytete dhe akse rrugore të vendit kanë organizuar protesta të "mosbindjes civile", duke kundërshtuar tarifat për kalimin e automjeteve në "Rrugën e Kombit" dhe sipas tyre për largimin e qytetarëve nga skema e ndihmës ekonomike, raporton Anadolu Agency (AA).
Nën organizimin e Partisë Demokratike të Shqipërisë(PD) dhe Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), qytetarët kanë bllokuar qarkullimin e automjeteve në akset rrugore në Vorë të Qarkut të Tiranës, në Bradashesh të Elbasanit, në Milot, dhe në Çermë të Lushnjes.
Në protestat që vazhduan për disa orë ka patur dhe tensione, pasi drejtuesit e automjeteve dhe forcat e policisë kanë kundërshtuar bllokimin e akseve rrugore.
Protestës në Vorë i është bashkuar edhe lideri i opozitës dhe njëkohësisht kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, i cili në një prononcim për mediat tha se "opozita është në krah të qytetarëve."
"Kemi bllokuar rrugën kundër grabitjes dhe padrejtësisë që është ajo e mosbindjes civile, qytetarët do të ndërmarrin aksionet e tyre dhe ne do të jemi në krah të tyre", tha kreu i PD-së.
Basha duke folur në protestë kërkoi lirimin e personave të ndaluar në Kukës për protestën kundër tarifave për kalimin e automjeteve në "Rrugën e Kombit", ndaj të cilëve gjykata vendosi masën e sigurisë "arrest me burg".
"Jemi në krahun e dhjetëra mijëra familjeve që u është hequr me të padrejtë ndihma ekonomike. Ky është reagimi i popullit që nuk pranon padrejtësitë. Të ndërtojmë së bashku standardet evropiane. Është rruga e vetme për ta çuar Shqipërinë në Evropë. Së bashku do t'i rikthejmë shpresën çdo shqiptari, për një Shqipëri të drejtë dhe të zhvilluar", tha Basha.
Pjesë e protestës ishin edhe deputetë të Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim.
Hasan Grifi, një nga protestuesit i cili banon në Tiranë, për AA tha se është kundër tarifave në "Rrugën e Kombit". "Kërkojmë që në rrugët në Shqipëri mos të ketë taksa. Jemi një popull me të ardhura të vogla. Protestat do t'i vazhdojmë", u shpreh Grifi.
Edhe Halit Porja, një tjetër protestues shprehet se është kundër tarifave për kalimin e automjeteve në "Rrugën e Kombit", duke shtuar se janë të panevojshme.
Para fillimit të protestave reagoi edhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shqipërisë, duke theksuar se policia nuk ka marrë njoftim ligjor për protestat.