Bojana Stojanovic
17 Janar 2019•Përditësim: 17 Janar 2019
BEOGRAD (AA) - Presidenti rus, Vladimir Putin, mbërriti për një vizitë zyrtare në Serbi, për çka në aeroportin e Beogradit u prit nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas asaj që është planifikuar, fillimisht Putin do të shkojë në varrezat e çlirimtarëve të Beogradit, pas çka para pallatit Serbia, në nder të tij do të organizohet një pritje solemne.
Gjatë ditës, ai do të pritet në takim nga presidenti Aleksandar Vuçiq, ndërsa më pas do të mbahet një takim tjetër mes dy delegacioneve.
Presidenti rus është paraparë që homologut të tij serb t’i dorëzojë medaljen e nderit Aleksandar Nevski, ku bashkërisht do të vizitojnë kishën e “Shën Savës” në Beograd.
Kjo është hera e katërt që Putin viziton Beogradin, ndërsa për herë të fundit qëndroi në Serbi në vitin 2014.
Vizita ka bërë autoritetet të ndërmarrin masat më të larta të sigurisë, ku është paraparë ndërprerja e trafikut në rrugët ku ai do të lëvizë.
Në nder të ardhjes së tij, në rrugët kryesore në Beograd janë vendosur flamuj të Serbisë dhe Rusisë, ndërsa anembanë qytetit janë vendosur billborde në shenjë të miqësisë së dy popujve.