Admir Fazlagikj
10 Maj 2017•Përditësim: 11 Maj 2017
SHKUP (АА) – Gjykata Themelore Publike – Shkup (PTHP) ka njoftuar se deri në këtë moment janë identifikuar dy persona të involvuar në sulmin ndaj deputetit Zijadin Sela gjatë ngjarjeve të dhunshme në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë më 27 prill, transmeton Anadolu Agency (AA).
Nga PTHP njoftuan se nga dëshmitë e grumbulluara deri më tani, kjo prokurori konstatoi se ekziston dyshimi themelor se këta dy persona, së bashku me persona të tjerë, të cilët në këtë moment janë të paidentifikuar kanë kryer veprën penale “tentim vrasje”.
“Prokurori publik kompetent miratoi urdhër për zbatimin e procedurës hetimore kundër dy personave për veprën penale në fjalë. Njëkohësisht, pas vlerësimit të Prokurorisë Publike, kundër të dyshuarve domosdo është të shqiptohet masa për sigurimin e tyre, për shkak të cilës prokurori publik deri te gjykatësi i procedurës paraprake dha propozim për caktimin e masës së paraburgimit, sepse ekzistojnë të gjitha bazat ligjore për të”, thuhet në njoftimin e PTHP-së.
Po ashtu, shtohet, për shkak të zbardhjes së plotë të kësaj ngjarje penale-juridike nga ana e Prokurorisë Publike janë dhënë urdhëra për procedim urgjent në Ministrinë e Punëve të Brendshme për shkak të sigurimit të dokumentacionit të të dhënave relevante.
Deputeti Zijadin Sela ishte një nga deputetët e sulmuar më 27 prill kur ndodhën ngjarjet e dhunshme në godinën e Kuvendit, pas zgjedhjes së Talat Xhaferit për kryetar të Kuvendit. Qytetarët të cilët protestonin, të kryesuar nga nisma “Për Maqedoni të Përbashkët”, hynë dhunshëm në Kuvend dhe sulmuan deputetët, përfaqësuesit e mediave si dhe disa pjesëtarë të policisë.