BALLKANI

Maqedoni, miratohet ligji për amnisti për dhunën e 27 prillit në Kuvend

Sipas këtij ligji, amnistia nuk do të përfshijë organizatorët e ndodhive, personat që kanë kryer dhunë fizike, ata që kanë poseduar armë dhe pajisje shpërthyese, si dhe personat zyrtar që kanë tejkaluar autorizimet zyrtare

Besar Ademi  | 18.12.2018 - Përdıtësım : 19.12.2018
Maqedoni, miratohet ligji për amnisti për dhunën e 27 prillit në Kuvend Foto: Besar Ademi / AA

Shkup

SHKUP (AA) - Kuvendi i Maqedonisë në seancën e sotme ka miratuar ligjin për amnisti për ngjarjet e 27 prillit të vitit të kaluar në Kuvend, kur si pasojë e dhunës së ushtruar nga qindra protestues, të cilët me forcë hyrën në godinën e Kuvendit, pësuan rreth 100 persona, përfshirë deputetë, policë dhe punonjës mediatik, raporton Anadolu Agency (AA).

Nga gjithsej 112 deputetë të pranishëm, ligji me procedurë të shkurtuar i paraqitur nga një grup deputetësh u mbështet nga 95 ligjvënës, ndërsa kundër dhe të përmbajtur nuk kishte.

Sipas këtij ligji të miratuar, amnistia nuk do të përfshijë organizatorët e ndodhive në Kuvend, personat që kanë kryer dhunë fizike, ata që kanë poseduar armë dhe pajisje shpërthyese, si dhe personat zyrtar që kanë tejkaluar autorizimet zyrtare.

Ilija Dimovski, deputet nga radhët e opozitës maqedonase VMRO-DPMNE, nga foltorja e Kuvendit tha se grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së mbështet dhe u bashkohet propozuesve të këtij ligji.

“Kaluam shumë situata të pakëndshme në të cilat ndoshta nuk ishim shumë njerëzor, por mendoj se më e rëndësishme është se në fund erdhëm te ajo që biseduam që në fillim, se duhet të shihemi në sy dhe duhet që problemet dhe gabimet tona mos t’i transferojmë në të gjithë shoqëinë”, tha Dimovski.

Ziadin Sela, deputet i Lëvizjes për Reforma në Partinë Demokratike Shqiptare (LR-PDSH), i cili pësoi lëndime më të rënda në dhunën e 27 prillit, kundërshtoi këtë ligj, duke theksuar se miratimi i tij është “goditje e shpresës së qytetarëve për të pasur një shoqëri të pastër pa kriminel”.

“Më 27 prill unë u vrava personalisht dhe i mbijetova. Sot po vritem përsëri, fatkeqësisht nga një numër i madh deputetësh, të cilët me votën e tyre vendosën që përveç individualisht të vrasin edhe shpresën e qytetarëve për drejtësi, për shtet të së drejtës”, u shpreh Sela.

Të gjithë të akuzuarit e dhunës së 27 prillit të vitit të kaluar kanë të drejtë që në afat prej pesë ditësh pas miratimit të ligjit të dorëzojnë kërkesa individuale për amnisti, ndërsa gjykata do të sjell vendim pas mendimit të Prokurorisë Publike. Po ashtu për deputetët që hapën dyert, gjë që u mundësoi protestuesve hyrjen në Kuvend, autoritetet kompetente do të sjellin vendim në bazë të dëshmive që posedojnë.

Kujtojmë se mbrëmjen e 27 prillit të vitit 2017, pas zgjedhjes së Talat Xhaferi në një situatë kaotike për kryetar të Kuvendit, protestuesit e kryesuar nga nisma qytetare “Për Maqedoni të përbashkët”, të cilët ishin tubuar para Kuvendit, me forcë hynë brenda godinës dhe ushtruan dhunë ndaj deputetëve, pjesëtarëve të policisë, si dhe punonjësve mediatik.

Për dhunën në Kuvend janë gjykuar dhjetra persona, përfshirë edhe deputetë të VMRO-DPMNE-së.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.