Fatjon Cuka
10 Maj 2017•Përditësim: 11 Maj 2017
TIRANË (AA) - Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliç, ka uruar kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, për zgjedhjen e tij në postin e presidentit të vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Unë shpresoj se marrëdhëniet dypalëshe dhe bashkëpunimi midis Republikës së Serbisë dhe Republikës së Shqipërisë do të jenë edhe më të mira në të ardhmen. Kjo është një çështje me rëndësi thelbësore për paqen, zhvillimin e vendeve tona, dhe të rajonit ku jetojmë”, thuhet në mesazhin e urimit të Nikoliçit, publikuar nga Kuvendi i Shqipërisë.
Kujtojmë se kryetari aktual i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta është zgjedhur më 28 prill të këtij viti në seancën e posaçme parlamentare si president i ri i vendit, ndërsa zyrtarisht detyrën ai e merr më 24 korrik 2017, kur përfundon mandati pesëvjeçar i presidentit aktual Bujar Nishani.