Admir Fazlagikj
19 dhjetor 2017•Përditësim: 19 dhjetor 2017
SHKUP (АА) - Prokuroria Speciale Publike (PSP) e Maqedonisë, përmes një konferencë për mediat njoftoi se ka hapur shtatë lëndë të reja në të cilët janë përfshirë 17 persona të cilët dyshohen për shpërdorim të detyrës zyrtare, raporton Anadolu Agency (AA).
Prokurorja Fatime Fetai tha se hetimi i parë quhet "Shërbimet e Huaja" dhe ka të bëjë me dy të dyshuar, njëri zbatues i drejtpërdrejt dhe tjetri nxitës.
Siç theksoi ajo, i dyshuari i parë është ish kryeshef për teknikë në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim (DSK) dhe si i tillë ka përpiluar një raport për të promovuar qëndrimin se përgjimet ilegale janë bërë nga shërbimet sekrete. Të dy personat, sipas Prokurorisë Speciale Publike, në dhjetor të vitit 2014 kanë favorizuar një kompani të huaj të fitojë një tender në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), që sipas PSP-së ka qenë e zbatuar në mënyrë joligjore.
Në rastin e dytë "Pikëpagesa" (Drumarina) si e dyshuar paraqitet një ish-deputete, e cila akuzohet për keqpërdorim të kompensimit për shpenzime rrugore në periudhën nga korriku i vitit 2011 deri në dhjetor të vitit 2015. Siç theksoi Fetai, ajo ka dhënë llogari fiskale të rrejshme për udhëtime të realizuara nga vendi i banimit edhe pse ka pasur akomodim në Shkup. Me këtë ka bërë keqpërdorim të mjeteve në vlerë prej rreth 100 mijë euro.
Hetimi i tretë i quajtur "Rentgen", ka të bëjë me ish-ministrin e Shëndetësisë, i cili akuzohet për furnizim të pajisjes për laboratorë radiologjik në vitin 2012. Ai dyshohet se ka favorizuar një kompani për të fituar tenderin për pajisjen, me ç'rast është bërë keqpërdorim i shumës prej rreth 860 mijë euro.
Hetimi i katërt "Producenti" ka të bëjë me ish-ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, i cili në nëntor të vitit 2009 pa furnizim publik ka firmosur marrëveshje me shtëpinë producente "Smart centar" SHPKNJP Shkup, për xhirim të një emisioni i cili është emetuar në TV Sitel në vlerë prej 50 mijë euro.
Hetimi i pestë të cilin e hapi PSP-ja quhet "Liderët" dhe del nga biseda telefonike e realizuar midis liderëve të dy partive politike lidhur me rrënimin e një objekti të ndërtuar ilegalisht. Dyshohet pronari i objektit që ka qenë i ndërtuar pa leje në sipërfaqe prej 1.000 metra katrorë në periudhën nga nëntori i vitit 2011 deri në shkurt të vitit 2013.
Rasti i gjashtë "Tarifa 2" i dedikohet keqpërdorimit të furnizimit të ERP softuerit në ELEM. I dyshuar është një person i cili tanimë është i akuzuar edhe në lëndën "Tarifa". Dëmi i përgjithshëm i shkaktuar me keqpërdorimet e bëra është 288.880 euro.
Hetimi i shtatë "Transportuesi 2" është vazhdim i rastit "Transportuesi 1", ndërsa i dedikohet keqpërdorimeve me transport të nxënësve në Manastir në periudhën nga viti 2009 deri në vitin 2011. Edhe në këtë hetim është ish-kryetari i komunës së Manastirit, por edhe tre drejtorë të shkollave fillore. Dëmi i përgjithshëm i shkaktuar me keqpërdorimet e bëra në "Transportuesi 2" është 1.873.583. denarë.