Dzihat Aliju
04 Shkurt 2019•Përditësim: 05 Shkurt 2019
SHKUP (AA) – Persona ende të paidentifikuar sot kanë grabitur një filial të bankës Halkbank Sh.A. Shkup, raporton Anadolu Agency (AA).
Drejtori i Përgjithshëm i Halkbank Sh.A. Shkup, Bilal Sucubaşı, në një deklaratë për AA tha se 4 ose 5 persona ende të paidentifikuar me anë të kallashnikovëve kanë sulmuar punonjësit e bankës.
Ai tregoi se ata duke e dëmtuar filialin kanë marrë një sasi të parave dhe janë larguar me një minibus. "Kanë dëmtuar filialin, nuk e dimë se sa para janë marrë. Nuk e dimë se ku janë. Policia erdhi, tashmë vazhdon hetimi. Pas asaj do të na njoftojnë edhe neve. Nga ana tjetër shokët tanë janë duke u munduar për të përcaktuar se sa para janë marrë", tha ai.
Sucubaşı shtoi se me këtë incident në një vit të fundit është kryer grabitja e tretë ndaj bankës.
Ndërkohë në një njoftim të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë, thuhet se në Sektorin për Punë të Brendshme Shkup sot është raportuar se persona ende të paidentifikuar kanë kryer grabitje në filialin e një banke në rrugën “Jadranska Magistrala”.
Persona të armatosur kanë kërcënuar personelin e bankës dhe kanë marrë një sasi të parave të papërcaktuara, thuhet në njoftimin e MBP-së, duke shtuar se janë duke u marrë masa për gjetjen e autorëve dhe zbardhjen e rastit.