Fatjon Cuka
20 Qershor 2016•Përditësim: 21 Qershor 2016
TIRANË (AA) - Ministri kosovar i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, së bashku me ministren e Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë, Lindita Nikolla kanë kryesuar sot takimin mes dy delegacioneve që është realizuar në Tiranë, raporton Anadolu Agency (A).
Takimi mes dy delegacioneve, të Shqipërisë dhe Kosovës në fushën e arsimit, ka patur si qëllim diskutimin e politikave dhe programeve të bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e arsimit të lartë, kërkimit shkencor, formimin profesional dhe profesionet e rregulluara.
Ministrja Nikolla në fjalën e saj gjatë takimit u shpreh se mes dy vendeve vazhdon tradita e bashkëpunimit në fushën e arsimit.
“Kemi hedhur hap shumë të rëndësishëm për sistemin e përbashkët kurrikular, sistemin e përbashkët arsimor në fushë e arsimit parauniversitar. Me vullnetin e ministrit Bajrami po hedhim hapa të rëndësishëm edhe në fushën e arsimit të lartë. Kemi detyra të përbashkëta të vendosura edhe nga mbledhja e përbashkët e dy qeverive tona”, u shpreh Nikolla.
Ministri Bajrami theksoj se bashkëpunimi mes dy vendeve e nuk është vetëm në nivelin politik, pro edhe teknik.
“Kemi vendos një bashkëpunim të shkëlqyer mes dy ministrive. Bashkëpunimi në fushën e arsimit është shoqëruar me rezultate konkrete. Jemi bashkë në iniciativat rajonale dhe botërore, për tu fokusuar tek prioritet dhe shkëmbyer përvojat. Duhet të punojmë shumë që të shtyjmë universitete tona të bashkëpunojnë, sepse kemi ofruar hapësira bashkëpunimi në drejtim të programeve të përbashkëta të studimit, në drejtim të punës së përbashkët kërkimore shkencore, etj”, u shpreh Bajrami.