Sibel Vezaj
24 Qershor 2016•Përditësim: 25 Qershor 2016
PRISHTINË (AA) - Rektori i Universitetit të Prishtinës ''Hasan Prishtina" Marjan Dema dhe Rektori i Universitetit të Zagrebit Damir Boras, nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi në fusha të ndryshme, raporton Anadolu Agency (AA).
Rektori i Universitetit të Prishtinës ''Hasan Prishtina'' Marjan Dema duke e cilësuar takimin si një ngjarje të jashtëzakonshme për Kosovën, u shpreh se ky bashkëpunim do të mundësojë zhvillimin e mëtutjeshëm të Universitetit të Prishtinës.
“Universiteti i Zagrebit ka një përvojë 350 vjeçare dhe ka gadishmëri të madhe që të bashkëpunojë në ato fusha që ne kemi nevojë, në veçanti për studime të doroktoraturës, duke na ofruar internship, mobilitet të studentëve, të profesorëve e të hulumtuesve shkencorë, në mënyrë që universiteti i Prishtinës t’i plotësojë zbrazëtirat të cilat i ka”, u shpreh Boras.
Rektori Boras shprehu kënaqësinë që ndodhet në Prishtinë si rektori i parë i Universitetit të Zagrebit. Duke vënë në dukje se Universiteti i Zagrebit është universiteti më madh dhe më i vjetër i Kroacisë, Boras u shpreh se ka vite të shumta që kanë marrëdhënie të mira, miqësore dhe profesionale me Universitetin e Prishtinës.
Ai gjithashtu theksoi se qëllimi i marrëveshjes së nënshkruar është përmirësimi i marrëdhënieve dhe të bashkëpunimit të deritashëm.
“Sidomos do të mundësojmë përmirësimin e cilësisë së Universitetit të Prishtinës, në ato degë ku ka pak profesorë dhe shkencëtarë, duke dhënë ndihmën tonë që të rinjtë e këtij vendi dhe të këtij universiteti ta studiojnë doktoraturën në Universitetin e Zagrebit. Në këtë mënyrë ne do të nxisim që së bashku t’i krijojmë vlerat evropiane. Pra, ne ia hapim rrugën e Kosovës dhe të Universitetit të Prishtinës kah Evropa përmes edukimit me cilësi të lartë”, u shpreh Boras.
Rektori Boras tha se edhe profesorët nga Zagrebi do të vijnë në Kosovës në mënyrë që të promovohet bashkëpunimi dhe miqësia mes popullit kroat dhe shqiptar. Ai ftoi përfaqësuesit e Universitetit të Prishtinës në një vizitë në Zagreb në shtator të këtij viti, ku do të konkretizohet bashkëpunimi në fusha të ndryshme.
Mysafirët nga Zagrebi poashtu potencuan interesimin për ta hapur departamentin e albanologjisë, për të cilin përfaqësuesit nga Kosova kanë treguar gadishmëri për të ndihmuar.