Fatjon Cuka
15 Qershor 2016•Përditësim: 15 Qershor 2016
TIRANË (AA) - Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë e Shqipërisë (MMSR) ka zhvilluar sot një tryezë diskutimi me përfaqësues të dhomave të tregtisë dhe përfaqësues të biznesit për reformën e arsimit profesional dhe transformimin e qendrave të formimit profesional, raporton Anadolu Agency (AA).
Në këtë tryezë ka mbajtur një fjalë edhe ministri i MMSR-së, Blendi Klosi, ku ai ka theksuar se ligji i ri i arsimit profesional bën ligjore lidhjen mes këtij arsimi dhe biznesit.
“Arsimi profesional duhet shikuar si një mekanizëm i ri në ekonominë e vendit. Me ligjin e ri nxënësit gjysmën e kohës së shkollës do ta kalojnë pranë biznesit. Do realizohen praktika në biznes, në interes të nxënësve, por edhe biznesit. Gjithashtu me ligjin i ri, shkollat profesionale kalojnë në njësi autonome financiare dhe kjo do të rrisë cilësinë e mësimdhënies. Qendrat e Formimit Profesional, nuk do të zhvillojnë më kurse nëse nuk porositen nga biznesi. Të trajnuarit në qendrat tona të formimit profesional, do të jenë punonjësit e ardhshëm të bizneseve. Jemi të hapur për çdo ide të biznesit se si mund ta zhvillojmë më mirë arsimin profesional. Në shtator do të kemi dyfishim të nxënësve të këtij arsimi”, u shpreh Klosi.
Ai ka theksuar se po punohet me partnerët për të rikonstruktuar deri në shtator disa shkolla profesionale, ku sipas tij vëmendje do ti kushtohet praktikës në shkollë.
Përfaqësuesit e biznesit u shprehën në këtë tryezë se kërkesa për të punësuar të kualifikuar është shumë më e madhe se sa oferta. Ata gjithashtu kanë kërkuar rritjen e cilësisë së shkollave profesionale.