Fatjon Cuka
05 Shkurt 2016•Përditësim: 06 Shkurt 2016
TIRANË (AA) - Ministria e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë ka organizuar sot në Tiranë tryezën e diskutimit me temë: “Decentralizimi: Shërbime cilësore në arsim”, ku kanë marrë pjesë drejtues të lartë të kësaj ministrie, të institucioneve të tjera, dhe ekspertë të arsimit, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministrja e Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë, në fjalën e saj ka deklaruar situata e re e krijuar nga reforma territoriale do të forcojë një komponent të rëndësishëm, atë të cilësisë së shërbimeve arsimore.
Qëllimi i tryezës është gjithashtu rritja dhe forcimi i bashkëveprimit mes autoriteteve qendrore, qeverisë, ministrive të linjës, autoriteteve vendore, bashkive dhe partnerëve social, profesional dhe ekonomik në funksion të mbështetjes dhe zhvillimit të shërbimit arsimor sipas standardeve dhe modeleve bashkëkohore të menaxhimit dhe administrimit.
“Sot fokusi është arsimi, jo vetëm për faktin e rëndësisë që ka në shoqëri një cilësie e re në arsim, por edhe për specifikën e decentralizmit të shumë shërbimeve, ku deri dje ishin nën përgjegjësinë e Ministrisë së Arsimit, ndërsa sot janë përgjegjësi e bashkive. Kjo situatë e re do të forcojë një komponent të rëndësishëm, që lidhet me cilësinë e shërbimeve arsimore”- u shpreh Nikolla në fjalën e saj.
Reforma e re territoriale, e shoqëruar nga ligji i ri për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore, synon përmirësimin e cilësisë së shërbimit arsimor, duke decentralizuar disa kompetenca dhe funksione të qeverisjes qendrore në funksion të miradministrimit të shërbimit arsimor në vend.